75 Mall Live Search
20:37 / E Martë, 02 Shtator 2025 / MSH

Shpërthen kanalizimi në shkollën “Ismail Qemali” në Prishtinë, nesër bojkotohet mësimi dhe protestojnë prindërit

Nxënësit e klasës së 5-të në shkollën fillore “Ismail Qemali” në Prishtinë nuk do të mbajnë mësim. 

Kjo për shkak se klasat ku supozohet të vijojnë procesin mësimor janë mbushur me ujë si pasojë e shpërthimit të pusetave, shkruan IndeksOnline.  

Për shkak të kësaj ndodhie, nxënësit sot janë detyruar të mbajnë mësimin në sallat e arsimtarëve, ndërkaq nesër, me leje të prindërve, do të bojkotojnë procesin mësimor. 

Këta të fundit, bashkë me fëmijët, do të protestojnë përpara shkollës. 

“Premtimi i dhënë nga Komuna gjatë muajve qershor–gusht, për ndërhyrje të menjëhershme dhe përfundimtare në pjesët problematike të shkollës (kanalizimi dhe gypat që shkaktojnë mbushjen e bodrumit me ujë), nuk është mbajtur. Për këtë arsye, gjendja e rëndë jo vetëm që është përsëritur, por po rrezikon seriozisht procesin mësimor dhe shëndetin e fëmijëve tanë.

Kushtet e krijuara janë veçanërisht të papranueshme për fëmijët me sëmundje kronike, të cilët për shkak të lagështisë dhe erës së rëndë të mykut, nuk mund të qëndrojnë fare në ato ambiente. Ky fakt jo vetëm që cenon të drejtën e tyre për arsim, por përbën edhe rrezik serioz për shëndetin e tyre” thuhet në njoftimin e këshillit të prindërve. 

Prindërit thonë se kjo është një formë paralajmërimi se durimi i tyre ka mbaruar, duke kërkuar reagim të menjëhershëm dhe zgjidhje përfundimtare.

“Kushtet e krijuara janë veçanërisht të papranueshme për fëmijët me sëmundje kronike, të cilët për shkak të lagështisë dhe erës së rëndë të mykut, nuk mund të qëndrojnë fare në ato ambiente. Ky fakt jo vetëm që cenon të drejtën e tyre për arsim, por përbën edhe rrezik serioz për shëndetin e tyre” deklarojnë prindërit./IndeksOnline/