75 Mall Live Search
19:58 / E Mërkurë, 17 Qershor 2026 / S Z

Shpërthen në lot në zbulimin e muralit “Çast”, Vasfije Krasniqi : Këta janë lotët e një 16-vjeçareje që përjetoi tmerrin e luftës

Vasfije Krasniqi-Goodman nuk ka mundur t’i përmbajë emocionet gjatë ceremonisë së zbulimit të muralit “Çast”, kushtuar të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

E prekur thellë nga momenti, ajo shpërtheu në lot para të pranishmëve, duke kujtuar dhimbjen dhe plagët që mbajnë ende shumë gra të mbijetuara të luftës.

Pas ceremonisë, Krasniqi-Goodman ndau një mesazh prekës, duke theksuar se lotët e saj janë dëshmi e vuajtjeve të përjetuara, por edhe e forcës për të vazhduar përpara.

“Këta janë lotët e një 16-vjeçareje që përjetoi tmerrin e luftës. Sot e mbaj kokën lart, që zëri im të jehojë jo vetëm në trojet shqiptare, por edhe përtej oqeanit. Historia ime është dëshmi e dhimbjes, por edhe e forcës, guximit dhe qëndresës së të mbijetuarave. Faleminderit për dashurinë, respektin dhe mbështetjen që ma jepni çdo ditë”, ka shkruar Vasfije Krasniqi-Goodman.

Muralit “Çast” i është dhënë një simbolikë e veçantë, duke shërbyer si kujtesë për vuajtjet, por edhe për qëndresën dhe dinjitetin e të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës.