Shpërthen zjarri në një depo karburanti ruse pranë kufirit me Ukrainën

Një zjarr shpërtheu në një depo karburanti në Belgorod, një qytet rus pranë kufirit me Ukrainën, tha guvernatori rajonal në kanalin e tij Telegram të premten në mëngjes.
Vyacheslav Gladkov, guvernatori i rajonit të Belgorodit, akuzoi Ukrainën se qëndron pas zjarrit pa dhënë prova të mëtejshme.
“Zjarri në depon e naftës ka ndodhur si pasojë e një sulmi ajror të ardhur nga dy helikopterë të Forcave të Armatosura të Ukrainës, të cilët kanë hyrë në territorin e Federatës Ruse duke fluturuar në lartësi të ulët. Nuk ka viktima”, tha Gladkov.
CNN nuk ka verifikuar këtë pretendim.
Dy punonjës të depos janë lënduar nga zjarri, por jeta e tyre nuk është në rrezik, tha Gladkov. Banorët në afërsi të depos janë duke u evakuuar, shtoi ai.
Shërbimet e urgjencës janë në vendin e ngjarjes duke luftuar zjarrin dhe nuk ka asnjë kërcënim për popullatën e qytetit, tha Gladkov.
Belgorod është afër kufirit verilindor Ukrainë-Rusi, përtej të cilit shtrihet qyteti kryesor ukrainas i Kharkiv. Zona e Belgorodit u përdor si një terren për forcat ruse pak para pushtimit./IndeksOnline/