Shpërthime të njëpasnjëshme tronditin Buenos Aires-in
Një seri shpërthimesh tronditën një park industrial pranë kryeqytetit argjentinas Buenos Aires, duke shkaktuar një zjarr të madh që plagosi të paktën 22 persona.
Tymi i zi i dendur u ngrit qindra metra në ajër dhe zjarrfikësit ende po luftonin me flakët të shtunën në mëngjes, raporton KosovaPress.
“Shpërthimet dhe zjarret që po shpërthejnë në fabrika të ndryshme janë të mëdha,” tha Gaston Granados, kryetar i bashkisë së Ezeiza, zona ku ndodhet parku industrial.
“Po përpiqemi ta përmbajmë zjarrin dhe ta shuajmë atë, por deri më tani nuk kemi pasur sukses,” shtoi ai në një deklaratë për televizionin lokal, duke vënë në dukje se forca e shpërthimeve theu edhe dritaret e shtëpisë së tij dhe se banorët po evakuohen.
Fabian Garcia, drejtor i mbrojtjes civile për provincën e Buenos Aires, konfirmoi gjithashtu se situata ishte jashtëzakonisht e vështirë. “Është një zjarr kompleks. Do të duhet shumë kohë për ta shuar”, tha ai.
Sipas mediave lokale, shpërthimet dhe zjarri prekën pesë fabrika në kompleksin që strehon kompani që prodhojnë goma, kimikate dhe mallra të tjera.
Drejtori i spitalit Carlos Santoro konfirmoi se institucioni i tij kishte pranuar 22 persona të plagosur.

