17:52 / E Hënë, 06 Gusht 2018 / indeksADMonline

Shpërthimi i autocisternës në Bolonja, 2 të vdekur dhe 67 të plagosur (Video)

Rëndohet bilanci i shpërthimit të një autocisterne me lëndë djegëse në Bolonja të Italisë.

Dy persona kanë gjetur vdekjen dhe të paktën 67 të tjerë kanë mbetur të plagosur, 2 prej të cilëve në gjendje të rëndë shëndetësore.

Dy prej të plagosurve janë dërguar në spitalet e Parmas dhe Cesenas, me djegie të mëdha.

Ndër personat e prekur janë edhe 11 karabinierë dhe dy policë rrugor, të cilët po drejtonin trafikun pas një aksidenti rrugor të mëparshëm.

Ura e autostradës që lidh A1-A14 në Casalecchio është shembur pjesërisht si pasojë e shpërthimit.

Shpërthimi i autocisternës ndodhi pranë aeroportit të Bolonjas në zonën Borgo Panigale rreth orës 14:00.

Shpërthimi ishte aq i fuqishëm sa tymi dhe shtengullat e zjarrit dukeshin nga të gjitha anët e Bolonjas.

Si pasojë e shpërthimit edhe dhjetëra makina janë përfshirë nga flakët.

Shpërthimi është shkaktuar nga një aksident që përfshiu tre automjete të rënda.

 

TGCom shkruan se pak para orës 14, një aksident midis një mjeti që mbante lëndë të ndezshme dhe disa makina shkaktoi një zjarr që u pasua me shpërthime.

Disa nga të plagosurit janë goditur nga mbeturinat pas shpërthimit.

Dritaret e shumë shtëpive kanë shpërthyer gjithashtu në këtë zonë.

Pamjet e shpërthimit janë shpërndarë menjëherë në Twitter nga qytetarë që u gjendën aty ndërsa policia e Bolonjas konfirmoi se pas një incidenti që ka ndodhur në autostradë është verifikuar një shpërthim i fuqishëm në rrugën Marco Emilio Lepido.

Si shkak i shpërthimit, autostrata e Casalecchio është bllokuar nga të dy anët dhe në vendngjarje ndodhen një numër i madh ambulancash dhe zjarrfikësish si dhe disa helikopterë që vunë nën kontroll flakët.

Përveç forcave zjarrfikëse, në zonë ka shkuar edhe një helikopter për të shuar flakët.

Si pasojë e shpërthimit është krijuar një gropë e gjerë në rrugë dhe ndoshta do të duhet kohë e gjatë për të rivendosur qarkullimin normal në këtë aks nacional që lidh Autosole me Bolonjën dhe Taranton dhe Italinë nga lindja në perëndim.

Zona është izoluar për të ndihmuar përballimin e emergjencës, por edhe për frikën e kolapsit të mëtejshëm.