75 Mall Live Search
16:11 / E Martë, 09 Shtator 2025 / MSH

Shpërthimi i veturës së drejtorit të QKUK-së çon në goditjen e rrjetit kriminal, policia ndan detaje nga aksioni madhor

Drejtoria kundër krimit të organizuar dhe krimeve të rënda e Policisë së Kosovës, në vazhdën e hetimeve, lidhur me rastin e ndodhur më 30 prill, ku në parkingun e QKUK-së në Prishtinë kishte ndodhur një shpërthim në një veturë të tipit Mercedes B-Class, pronë e drejtorit të QKUK-së, ka ndërmarrë veprime të mëtejme operative dhe hetimore në bashkëpunim me organet e drejtësisë.

Sot, në zbatim të urdhëresës së lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, janë realizuar bastisje në tri lokacione – dy në Prishtinë dhe një në fshatin Rimanishtë.

Gjatë kontrollit janë ndaluar 11 persona të dyshuar dhe janë sekuestruar prova të shumta materiale si më poshtë:

Prishtinë – Rr. “Fan Noli”

  • Një telefon mobil i llojit iPhone 12
  • Një laptop Lenovo
  • Dokumente të ndryshme

Prishtinë – Rr. “Pavarësia”

  • Katër telefona celularë Samsung
  • Një telefon celular iPhone 14 Pro Max
  • Një palë pranga metalike
  • Një radio lidhje Baofeng
  • Gjashtë fishekë të armës së shkurtër të kalibrit 9×19 mm

Fshati Rimanishtë

  • Një pistoletë e llojit Sig Sauer me një karikator dhe 12 fishekë
  • Një armë automatike AK-47 me pesë karikatorë, 99 fishekë dhe një thikë (bajonetë)
  • Tri telefona (iPhone dhe Samsung),
  • Sasi e konsiderueshme e substancës narkotike (dyshohet për marihuanë), mjete për kultivim dhe përpunim

Gjatë bastisjes në këtë lokacion, është ndërhyrë edhe nga njësia e Antidrogës – DHTN Prishtinë, e cila ka marrë në kompetencë trajtimin e mëtejshëm të rastit për narkotikë.

Në vazhdim të veprimeve janë sekuestruar dëshmitë si në vijim:

  • Janë konfiskuar 142 kg e 172 gr substancë narkotike (kanabis sativa) në fazë përfundimtare të përpunimit
  • Një armë Sig Sauer 9×19 mm me karikator dhe 12 fishekë
  • Një armë AK-47, 5 karikatorë, 99 fishekë dhe 1 bajonet
  • 10 telefona dhe pajisje të tjera relevante për rastin

Gjatë verifikimit të të dyshuarit F.D., është konstatuar se ndaj tij ekziston një urdhër arrest aktiv për çështje të narkotikëve, dhe me vendim të prokurorit, ai është dërguar për vuajtje të dënimit.

Ndërkaq, pas intervistimit të personave të ndaluar dhe në konsultim me prokurorin kompetent, 9 persona janë ndaluar për 48 orë, ndërsa ndaj të tjerëve procedurat janë ndarë në raste të veçanta dhe janë njoftuar njësitë përkatëse për trajtimin e mëtejshëm të tyre.