Shpërthimi në “Ibër Lepenc”, reagon KEK-u

IndeksOnline raportoi më herët se kanalet e “Ibër Lepencit” në veri të vendit janë sulmuar me një mjet shpërthyes.
Rastin për IndeksOnline e konfirmoi edhe kryeshefi i kësaj KRU-je, Faruk Mujka.
“Po. Këtë punë e ka marrë në kompetencë policia. Po, e kemi një dëmtim dhe për momentin e kemi ndaluar ujin dhe po këqyrim me e sanu sa më shpejt, sepse prej aty po lirohet edhe ujësjellësit edhe KEK-u. Kështu që, po këqyrim sa më shpejt me e rregullu këtë punë”, tha Mujka.
Lidhur me incidentin ka reaguar edhe Korporata Energjetike e Kosovës.
“Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) njofton opinionin se, me marrjen e njoftimit për shpërthimin në gypin e Ibër Lepencit, është në komunikim të vazhdueshëm me të gjithë akterët relevantë, përfshirë Ibër Lepencin, Njësinë për Politika dhe Monitorim të Ndërmarrjeve Publike, Ministrinë e Ekonomisë, organet e rendit dhe autoritetet tjera të përfshira.
KEK shprehet se shpreson për një sanim sa më të shpejtë të situatës, por deri më tani nuk ka informacion të saktë lidhur me detajet e ngjarjes dhe kohën e sanimit.
Për çdo zhvillim të ri, të gjitha palët e interesuara do te informohen ne kohe optimale”, thuhet në njoftimin e KEK-ut./IndeksOnline/