75 Mall Live Search
20:52 / E Shtunë, 13 Janar 2024 / Gj. Sh

Shpërthimi në Kçiq, Hamza: Të lënduarit i përkasin të njëjtës familje, ka edhe nga diaspora

Nga shpërthimi në fshatin Kçiq të Mitrovicës kanë mbetur të lënduar 14 persona.

Në lidhje me këtë ka folur kryetari i Mitrovicës, Bedri Hamza, i cili tha se të lënduarit, në bazë të informatave janë nga e njëjta familje.

“Isha edhe brenda. Sipas informatave ka prej tyre që e kanë shkallën e lëndimit më të madhe, e disa më të vogël. Uroj që të gjithë të jenë mirë e të mos kenë rrezik për jetë e iu uroj shërim të shpejt dhe shfrytëzoj rastin t’i falënderoj mjekët për një punë dhe përkushtim të jashtëzakonshëm”, tha Hamza për Klan Kosovën.

Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës përmes një postimi në facebook ka bërë të ditur se 13 persona janë pranuar në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës si pasojë e djegieve nga shpërthimi i bombolës së gazit në fshatin Kçiç të Mitrovicës.

“Pacientët kanë djegie të shkallës së dytë dhe të tretë, në gjymtyrë të ndryshme të trupit, përfshirë, fytyrë, duar, këmbë dhe pjesë të tjera të trupit.

Ekipi emergjent në përbërje të mjekëve specialistë të profileve të ndryshme dhe infermierëve po trajton që të trembëdhjetë pacientët.

Katër nga ta janë duke u operuar në sallën e operacionit”, thuhet në njoftim.