Shpërthimi në Ujman, Zeqiri: S’ka vend për panik, situata nën kontrollin e plotë të organeve të rendit

Kryetari i komunës së Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, ka reaguar pas shpërthimit te Liqeni i Ujmanit, ku u dëmtuan dy vetura, njëra me targa të Kosovës dhe tjetra me targa amerikane.
Zeqiri përmes një postimi në facebook, është shprehur se i dënon fuqishëm aktorët e këtij shpërthimi.
“I dënoj fuqishëm aktorët e shpërthimit që ndodhi sot rreth orës 14:30 min. Dhe si pasoj pati dëmtime të dy veturave të qytetarëve që po pushonin dhe freskoheshin në Liqenin e Ujmani/
Uroj që së shpejti të kapen aktorët e këtij shpërthimi dhe të sillen para organeve të drejtësisë. Gjithashtu besoj që nuk ka vend për panik përderisa gjendja është nën kontrollin e plotë të organeve të rendit të Policisë së Republikës së Kosovës”, ka thënë ai.
Ndryshe, Liqeni i Ujmanit konsiderohet pikë strategjike vitale për Kosovën, pasi pos tjerash, aktualisht furnizon me ujë, një zonë me mbi 500 mijë kosovarë.
Nga Ujmani furnizohen me ujë shtatë komuna, në jug dhe veri të lumit Ibër; Mitrovica e Jugut dhe e Veriut, Zveçani, Vushtrria, Gllogoci, Skenderaj dhe një pjesë e Prishtinës.