Shqetësuese, vetëm në muajin korrik 200 infermierë të prekur nga COVID-19 në Kosovë

Fitim Havolli thotë për RTV Dukagjinin se në këta tre muajt e fundit janë prekur me coronavirus rreth 1,000 personel shëndetësorë si infermierë, mami e laborantë.
“Vetëm në muajin korrik i kemi 200 infermierë të prekur me coronavirus ndërsa 200 tjerë janë raste kontakti që ndodhet po ashtu në izolim e që i bie se jemi 400 infermierë në minus”, tha ai.
Havolli thotë se për shkak se infermierët janë në vijë të parë të frontit ndaj COVID-19, po i rrezikojnë edhe familjarët me infektim.
Kryetari i Sindikatës së Infermierëve të Kosovës thotë se deri në ardhjen në tavolinë të Ligjit të pagave infermierët duhet të stimulohen me pagesë për orët e kujdestarisë.
“Të stimulohen me pagesa nga 18 euro në 36 euro pasi nuk e rëndon as buxhetin e shtetit”.
Havolli thotë se nëse infermierët nuk stimulohen ata do të demoralizohen në punë dhe mund të infektohen shumë më lehtë duke lënë keq edhe sistemin shëndetësorë.