Shqipe Mehmeti-Selimi u bën thirrje deputetëve ta votojnë Albulena Haxhiun për kryetare të kuvendit

Pas zërave nga radhët e PDK-së dhe AAK-së se do ta votonin një kandidate tjetër të propozuar nga VV-ja – konkretisht bashkëshorten e deputetit Rexhep Selimi – por jo Albulena Haxhiun, ka ardhur reagimi nga deputetja e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Shqipe Mehmeti-Selimi, transmeton IndeksOnline.
Përmes një deklarate në Facebook, Mehmeti-Selimi ka theksuar se VV-ja ka tashmë kandidaten e vet për kryetare të Kuvendit dhe u ka bërë thirrje të gjitha partitë opozitare ta mbështesin atë.
“Lëvizja VETËVENDOSJE! e ka kandidaten e vet për kryetare të Kuvendit. Ftoj PDK, LDK, AAK-NISMA dhe pakicat jo serbe ta votojnë atë”, ka thënë ajo.
Deklaratat e disa deputetëve opozitarë të publikuara në media sugjeronin një gatishmëri për kompromis nëse VV-ja do të propozonte ndonjë figurë tjetër më gjithëpërfshirëse – përmendja e emrit të bashkëshortes së Rexhep Selimit dukej si një sinjal i hapur për negociata joformale, por që nuk ka gjetur mbështetje brenda VV-së.
Albulena Haxhiu, që është propozuar nga VV për pozitën e kryekuvendares, nuk ka arritur deri më tani të marrë numrin e nevojshëm të votave në asnjërën nga seancat e mëparshme, çka ka bërë që procesi të zvarritet për ditë të tëra.
Situata mbetet e tensionuar në kuvend, ndërsa përpjekjet për një zgjidhje konsensuale duken ende larg. Pritet të shihet nëse partitë opozitare do të qëndrojnë në qëndrimet e tyre apo do të japin votën për Albulena Haxhiun në seancen e cila do të nisë vetëm pas pak minutash./IndeksOnline/