12:41 / E Hënë, 31 Gusht 2020

Shqipe Vllasaliu-Drejtoresha e SHFMU “Naim Frashëri” ushtron dhunë psikike te mësimdhënësit dhe nxënësit! Kur do ta shkarkojë Komuna e Prishtinës?

Ka dy vjet që mësimdhënësit e shkollës fillore “Naim Frashëri” në vazhdimësi kanë shfaqur ankesat dhe pakënaqësitë e tyre në raport me drejtoreshën e kësaj shkolle.

Ata pohojnë se kanë drejtuar këto ankesa dhe pakënaqësi në Drejtorinë komunale për Arsim (DKA), por asnjë nga to nuk janë marrë parasysh meqë deri tashti drejtoresha e kësaj drejtorie, Shpresa Shala, nuk ka ndërmarrë asnjë veprim kundrejt ankesave të protokolluara.

Me drejtoreshën e shkollës, Shqipe Vllasaliu, është i pakënaqur edhe Këshilli i Prindërve që po ashtu ka drejtuar ankesa te Ministria e Arsimit dhe te kryeinspektorati i kësaj ministrie para një viti. Por asnjë veprim nuk është ndërmarrë në përgjigje të shqetësimeve të tyre.

A thua kush do të marrë përgjegjësinë për këtë rast?

Në këtë hallkë të problemit kush duhet të mbajë përgjegjësi për shkelje ligjore si dhe mosrespektim të dinjitetit të një komuniteti nga një individ i caktuar.

Po ashtu drejtoresha e shkollës nuk ka mandatë ligjor meqë ajo ka marrë pozitën para më shumë se një viti me mundësi të zgjatjes në bazë të performancës. Por askush nga institucionet relevante nuk e ka monitoruar dhe vlerësuar punën e saj, derisa e njëjta vazhdon të mbajë këtë pozitë pa asnjë kriter.

Mësimdhënësit dhe prindërit, të frustruar nga kjo situatë dhe neglizhenca e institucioneve përkatëse, i thanë portalit tonë se në rast që nuk shkarkohet drejtoresha ata do të paraqesin rastin në polici ku do të kërkojnë përgjegjësi për shkeljet ligjore që janë bërë në këtë rast nga Drejtoria e Arsimit, gjegjësisht drejtuesja e saj Shpresa Shala, si edhe kryeinspektori i ministrisë së Arsimit, Dëfrim Gashi. /IndeksOnline/