Shqipëri: Bashkë me tërmetet, Qeveria mund të bëjë me detyrim edhe sigurimin nga përmbytjet
Bashkë me tërmetet, qeveria shqiptare mund të bëjë me detyrime dhe sigurimin e pronave nga përmbytjet. Ministria e Financave iu ka çuar për konsultim institucioneve të linjës projektligjin e rishikuar “Për sigurimin e detyrueshëm të banesave nga tërmetet” të cilit i bashkëngjiten edhe përmbytjet. Kjo një lëvizje e lidhur drejtpërdrejt me ekspozimin e shtuar të banesave dhe tokave ndaj këtij rreziku që shkaktoi dëme të konsiderueshme edhe këtë fillim-vit.
Detyrimin për lidhjen e kontratës së sigurimit nga tërmetet dhe përmbytjet pritet ta kenë të gjithë qytetarët. Sipas projektligjit, çmimi i sigurimit nuk do të përcaktohet nga tregu, por do të miratohet nga Këshilli i Ministrave, mbi bazën e riskut, zonës gjeografike dhe tipologjisë së ndërtesës. Metodologjia e llogaritjes së primit do të mbështetet në modele aktuale të zhvilluara për kushtet e Shqipërisë.
Në thelb, drafti i ri synon të ndërtojë një mekanizëm të detyrueshëm financiar për të përballuar humbjet materiale në prona, duke e zhvendosur gradualisht peshën nga reagimi “pas ngjarjes” drejt parandalimit dhe menaxhimit të riskut. Ashtu si edhe në draftin e mëparshëm, edhe në këtë version skema do të administrohet nga “Fondi Kombëtar për Sigurimin e Detyrueshëm nga Tërmetet dhe Përmbytjet”.
Në rast të një fatkeqësie natyrore, dëmet do të vlerësohen nga ekspertë të licencuar, ndërsa pagesa e dëmshpërblimit do të kryhet nga Fondi, brenda afateve të përcaktuara. Dëmshpërblimi do të mbulojë dëmet materiale të banesës dhe të sendeve brenda saj, por jo humbje të aktivitetit ekonomik apo fitime të munguar.
Drafti për sigurimin e detyrueshëm të banesave nga tërmetet u ri-hodh për konsultim publik në korrik 2025, por nuk u miratua nga qeveria gjatë vitit të kaluar./A2CNN

