08:45 / E Shtunë, 23 Dhjetor 2017 / indeksADMonline

Shqipëri, bien çmimet e ushqimeve në muajin nëntor

Indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit u ul gjatë muajit nëntor. Sipas Institutit të Statistikave, (INSTAT) ky tregues u ul në nivelin 2.4%, nga 3.2% që ishte për muajin tetor.

Uljen e këtij indeksi, INSTAT ia faturon uljes së çmimeve për grupin e ushqimeve. Indeksi i këtij grupi u ul gjatë muajit nëntor me 2.2%, krahasuar me muajin tetor.

Ndërsa inflacioni i harmonizuar për grupin e “ushqimeve dhe pijeve jooalkolike”, krahasuar me muajin nëntor të vitit 2016 pësoi rritje prej 6%.

Të tjera grupe që dhanë një kontribut në rritje, ishin grupi “argëtim dhe kulturë” me 1,5 %, “pije alkoolike dhe duhan” dhe “transport” me 1.2% secili dhe shërbimi dhe arsimor.

Referuar të dhënave të INSTAT-t, çmimet e grupit “mobilie shtëpie dhe mirëmbajtje“ u ulën me 0,9 % dhe çmimet e grupit “veshje dhe këpucë” u ulën me 0,7 %.

Inflacioni i harmonizuar vazhdon të jetë më i lartë në raport me normën e brendshme të inflacionit, që për nëntorin qëndroi në nivelin 1.7%.

Instituti i Statistikave publikoi për herë të parë n[ muajin shkrut t[ ktij viti indeksin e harmonizuar të çmimeve të konsumit. Ky produkt statistikor synon të japë ecurinë krahasuese të çmimeve me pakicë mes vendeve europiane.

Sipas shpjegimeve metodologjike të INSTAT, ky indeks mbulon të gjitha shpenzimet e bëra brenda territorit të vendit nga familjet shqiptare, përfshirë familjet private dhe institucionale, si dhe shpenzimet e vizitorëve rezidentë dhe jo-rezidentë. Ndërkohë, në indeksin e çmimeve të konsumit, mbulohen shpenzimet e familjeve private shqiptare të kryera brenda dhe jashtë territorit të vendit.

Indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit llogaritet kryesisht në funksion të krahasimit në ndryshimin e çmimeve mes vendeve të ndryshme europiane dhe është një hap i ndërmarrë nga INSTAT në kuadër të përafrimit të statistikave me standardet komunitare.