Shqipëri – Kosovë, bashkojnë forcat në diplomaci!
Sot në Tiranë, Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme Gent Cakaj priti në një vizitë zyrtare, Ministrin e Punëve të Jashtme të Kosovës Behgjet Pacolli, vizitë kjo e cila u kurorëzua me një marrëveshje të re bashkëpunimi midis Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës.
Kjo marrëveshje sipas njoftimit të bërë nga Cakaj në llogarinë e tij Facebook shënon një kaptinë të re në bashkëpunimin politik, diplomatik dhe strategjik midis Kosovës dhe Shqipërisë në përgjithësi!
Marrëveshja në fjalë sipas tij është e bazuar në këto katër shtylla kryesore:
E para, nga pikëpamja politike, marrëveshja përcakton ngritjen e “Grupit Ndër-Ministror për Përfaqësim të Përbashkët Ndërkombëtar” dhe “Këshillin e Përbashkët për Planifikim Strategjik” me qëllim përcaktimin e prioriteteve afatgjata strategjike, bashkërendimin e qëndrimeve politike në arenën ndërkombëtare dhe marrjen e detyrimeve konkrete në përfaqësim të ndërsjellë në arenën ndërkombëtare, veçanërisht në organizata ndërkombëtare. Tani e tutje, Republika e Shqipërisë merr detyrime konkrete në prezantim, mbrojtje dhe afirmim të qëndrimeve politike të Republikës së Kosovës në të gjitha rastet ku pjesëmarrja e kësaj të fundit është e pamundur për shkaqe objektive. Për më shumë, Shqipëria do të ndërmarrë një fushatë të veçantë në funksion të forcimit të shtetësisë së Kosovës në rrafshin ndërkombëtar.
E dyta, nga pikëpamja diplomatike, marrëveshja inicion menjëherë fillimin e punës teknike për ngritjen e “Fondit të Përbashkët për Menaxhimin, Ngritjen dhe Zhvillimin e Ambasadave, Misioneve dhe Konsullatave” me qëllim krijimin e hapësirave për përdorim të përbashkët nga Republika e Kosovës dhe Republika e Shqipërisë. Kjo nismë është e domosdoshme për racionalizim të shpenzimeve logjistike dhe administrative dhe rritjen e pranisë diplomatike dhe konsullore të dy vendeve tona nëpër botë.
E treta, nga pikëpamja profesionale, marrëveshja parasheh edhe shkëmbimin e personelit diplomatik të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë në përfaqësitë e njëra-tjetrës anekënd globit. Lidhur me këtë element, shumë shpejtë diplomatët e parë shqiptarë nga Kosova do t’i bashkëngjiten diplomacisë së Shqipërisë për të shërbyer në përfaqësitë e saj nëpër botë dhe anasjelltas!
Për më shumë, Akademitë Diplomatike menjëherë do të fillojnë punën për krijimin e një programi trajnimi të përbashkët. Kjo masë, gjithsesi, do të shoqërohet edhe me shkëmbimin e stafit profesional dhe përvojave profesionale nëpër Ministritë tona.
E katërta, nga pikëpamja e diplomacisë kulturore, marrëveshja obligon palët për zhvillimin e një kalendari të përbashkët të aktiviteteve kulturore me qëllim ruajtjen dhe promovimin e vlerave kombëtare në botë. Po ashtu, palët nënshkruese të kësaj marrëveshje do të organizojnë edhe një konferencë të përbashkët në baza vjetore, me përfshirje të strukturave të diasporës e shoqërisë civile, për të diskutuar mënyrat e avancimit të politikës së jashtme në shërbim të interesave kombëtare.
“Kjo marrëveshje hap një kapitull krejtësisht të ri të bashkëpunimit në fushën e politikës së jashtme midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë. Sidoqoftë, kjo nuk do të thotë se procesi i thellimit dhe zgjerimit të bashkëpunimit midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë nuk duhet të vazhdojë tutje me rezultate konkrete. Përkundrazi. Shihemi shpejtë me masa të reja”, përfundon njoftimin e tij ministri Cakaj./Indeksonline/