Shqipëri: Mori para për të futur një grua në punë,’arrest shtëpie’ për ish zv.ministren e Brendshme

Dorës së hekurt të SPAK nuk i kanë shpëtuar as ish anëtarët e qeverisë Rama. Këtë herë pas hetimeve të SPAK, Gjykata e Posaçme ndaj Korrupsionit ka vendosur ‘arrest shtëpie’ për ish zëvendësministren e Brendshme, Rovena Voda, e cila akuzohet se ka përfituar para dhe të mira materiale për të punësuar një grua.
Voda në cilësinë e Zëvendësministres në Ministrinë e Brendshme, sipas SPAK, ka marrë para dhe të mira materiale të padrejta nga dy gra Majlinda Hasani dhe Florida Beu, për punësimin e kësaj të fundit në shërbimin civil në kategorinë ekzekutive.
Pas hetimeve të kryera nga SPAK, rezulton se Voda ka ushtruar ndikim të paligjshëm te persona të tjerë që ushtrojnë funksione publike, për të favorizuar në mënyrë të padrejtë Florida Beun në mënyrë që kjo e fundit të emërohej punonjëse në shërbimin civil.
Ky procedim penal ndaj Vodës është regjistruar në 2021, ndërsa SPAK vijon ende hetimet për këtë rast. Megjithatë nga provat e arritura deri tani prokuroria e Posaçme ka kërkuar nga Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit që të caktojë masën e sigurisë “arrest shtëpie” për Rovena Vodën, Florida Beun dhe Majlinda Hasani për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.
Po sot, SPAK ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar në GJKKO ish-kryebashkiakun e PD në Pogradec, Eduart Kaprin dhe 5 vartësit e tij, të cilët do të gjykohen në lidhje me tentativën për të penguar zgjedhjet lokale në 30 qershor 2019 si dhe për akuzën për abuzim me tenderin për blerjen e druve të zjarrit me vlerë 9.2 mln lekë në vitin 2017.