Shqipëri: Opozita nesër tre orë protestë, policia njofton marrjen e masave, bllokohen disa rrugë kryesore
Partia Demokratike ka njoftuar Policinë e Tiranës për protestën e nesërme të opozitës.
Sipas njoftimit të shpërndarë për mediat nga Policia, PD ka kërkuar leje për zhvillimin e tubimit nga 19:00 deri në 22:00 në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, para Kryeministrisë.
Policia njofton se për garantimin e rendit dhe sigurisë, do të ketë kufizime të qarkullimit dhe ndalim parkimi në disa segmente rrugore, duke nisur që nga mbrëmja e 16 prillit deri në përfundim të tubimit.
Bllokime do të ketë përgjatë bulevardit kryesor, si dhe në rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.
Policia u bën thirrje organizatorëve të respektojnë orarin dhe qytetarëve të tregojnë mirëkuptim, si dhe të shmangin çdo veprim që cenon rendin dhe sigurinë publike.

