75 Mall Live Search
11:41 / E Hënë, 12 Maj 2025 / Z S

Shqipëri: Sa mandate i fituan partitë e reja

Gjatë ditës së djeshme në Shqipëri, qytetarët iu drejtuan kutiave të votimit.

Në zgjedhjet e 11 majit pos PS-së dhe PD-së si parti kryesore garuan edhe disa nga partitë e vogla.

Në bazë të rezultateve del se partitë e ashtuquajtura të reja, të vogla, kanë fituar tri mandate në nivel vendi në zgjedhjet parlamentare të 11 majit.

Për herë të parë, mandate në Kuvendin e Shqipërisë kanë fituar Partia Mundësia, Lëvizja Bashkë dhe koalicioni Shqipëria Bëhet – Nisma Thurje.

Mandatet, ato i kanë fituar secila në Qarkun e Tiranës, tregojnë rezultatet preliminare.

Partia Mundësia është një parti e regjistruar për herë të parë në zgjedhjet parlamentare të këtij viti dhe udhëhiqet nga Agron Shehaj, një afarist nga Vlora, ish-deputet i Partisë Demokratike.

Lëvizja Bashkë është një parti e krahut të majtë, e cila udhëhiqet nga Arlind Qori, aktivist i majtë.

Ndërkaq, Shqipëria Bëhet është një parti e cila lindi si alternativë për ndryshim krahas dy partive tradicionale Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike. Shqipëria Bëhet, e cila garoi në koalicion bashkë me Nismën “Thurje”, udhëhiqet nga avokati dhe ish-pjesëtari i shoqërisë civile Adriatik Lapaj./Indeksonline/