Shqipëri-SHBA, nga armiq të papajtueshëm në partnerë strategjikë
Nga armiq të papajtueshëm te partnerë strategjikë. I njëjti kapërcim ka ndodhur edhe në rrafshin ekonomik në marrëdhëniet njëshekullore Shqipëri-Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Vitet e fundit shkëmbimet tregtare, ndonëse me luhatje kanë njohur rritje. Të dhënat nga Instituti i Statistikave tregojnë se deri në nëntor të vitit të shkuar, eksportet e mallrave shqiptare drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës kapën shifrën e mbi 5.1 miliardë lekë.
“Shqipëria është një ekonomi e vogël, por pikërisht kjo e bën fleksibile. Bashkëpunimi tregtar me Shtetet e Bashkuara është shumë i rëndësishëm, sepse u jep bizneseve shqiptare akses në një treg të madh, të qëndrueshëm dhe me standarde të larta. Kjo ndihmon jo vetëm eksportet, por edhe përmirësimin e cilësisë dhe profesionalizmit të prodhimit vendas”, thotë për A2 Mark Crawford, investitor amerikan.
E njëjta gjë ka ndodhur edhe në kahun tjetër, atë të importeve. Vendimi bleu deri në fund të nëntorit të vitot të shkuar mallra në vlerën e mbi 16 miliardë lekëve, gati dyfish më shumë se në vitin 2018. “Rritja e eksporteve shqiptare drejt SHBA-së është një tregues pozitiv. Ajo tregon se disa sektorë në Shqipëri kanë nisur të përshtaten me kërkesat e tregut amerikan, i cili është shumë konkurrues. Kjo nuk është e lehtë, por është një shenjë se ekonomia shqiptare po bën hapa përpara”, thotë Crawford.
Por, me gjithë ecurinë pozitive, Shqipëria mbetet pak e lidhur me Shtetet e Bashkuara në krahasim me vendet e rajonit. Madje, në rrafshin e investimeve të huaja në vend, SHBA-të renditen në vendin e 12, duke u kaluar edhe nga Qipro. Pozitv është zgjerimi i stokut të investimeve amerikane në mbi 423 milionë dollarë.
“Politikat tregtare dhe tarifat e vendosura gjatë administratës Trump patën ndikimin e tyre edhe në marrëdhëniet tregtare me vende të vogla si Shqipëria. Megjithatë, tregtia mes dy vendeve ka arritur të ruajë një trend pozitiv, pavarësisht këtyre luhatjeve”, thotë Crawford.
Vitet e fundit veçanërisht ka një rritje të konsiderueshme të numrit të turistëve amerikanë që vijnë për të vizituar Shqipërinë. Vetëm gjatë vitit të shkuar pati plotë 242 mijë e 822 vizitorë nga përtej Atlantikut. Në vitin 2020, Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës firmosën një Memorandum për Bashkëpunim Ekonomik, i pari pas Marrëveshjes Ekonomike të vitit 1992./Indeksonline/

