75 Mall Live Search
13:50 / E Mërkurë, 06 Gusht 2025 / MSH

Shqipëria detyrohet të importojë energji elektrike

Mungesa e reshjeve të shiut ka shtuar importin e energjisë elektrike në Shqipëri.

Përtej thatësirës vendi është shoqëruar edhe nga temperatura të larta duke ndikuar në rritjen  me 20% të konsumit të energjisë elektrike krahasuar kjo me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Korporata Elektroenergjitike ka realizuar disa procedura për blerje energjie për muajin gusht. Nga të dhënat zyrtare të KESH rezulton se vetëm për muajin gusht  është blerë mbi 21 milionë euro energji eklektike, shkruan abcnews.

Që prej datës 28 korrik Korporata elektroenergjetike ka blerë 187 mijë megavatë orë energji elektrike me një çmim mesatar që varion nga 109 euro për megavat orë deri në 119 euro.

Vetëm për periudhën 4- 10 gusht Korporata Elektroenergjetike Shqiptare ka realizuar blerjen e 46,371 megavatë orë energji elektrike për të përballuar kërkesën në rritje dhe reduktimin e prodhimit vendas për shkak thatësirës së lartë.

Temperaturat e larta dhe mungesa e reshjeve kanë ndikuar negativisht në nivelin e ujit në kaskadën e lumit Drin, burimi kryesor i energjisë hidrike në vend.

Aktualisht niveli i ujit në liqenin e Fierzës rezulton se është 274 metra nga 296 që është kuota mesatare.

Po ashtu edhe prurjet mbeten në nivele të ulëta dhe janë vetëm 65 metër kub në sekondë.

Për të ulur varësinë nga reshjet tashmë vëmendja është përqendruar në prodhimin e energjisë nga parqet fotovoltaike nga të cilat tashmë sigurohet rreth 10 % e totalit të energjisë për të cilën ka nevojë .Ndërsa sfidë mbetet që brenda vitit 2030 rreth 30% e energjisë në vend të prodhohet nga parqet diellore.