75 Mall Live Search
14:38 / E Mërkurë, 01 Nëntor 2023 / L K

Shqipëria do ta ketë “nxehtë” në këtë stadium pas pak ditësh

Stadiumi Zimbru Kishinjau do të jetë i tejmbushur në përballjen që Moldavia luan ndaj Shqipërisë më 17 nëntor. Federata moldave ka konfirmuar se të gjitha biletat janë shitur, kur duhen ende më tepër se 2 javë deri në zhvillimin e përballjes, që për të dyja kampet cilësohet deicisve. Impianti i cili ka një kapacitet prej 10.500 vendesh është prenotuar i gjithi, ndërsa për tifozët kuqezi janë vendosur në dispozicion një përqindje e vogël biletash, konkretisht 750 të tilla.

Mediat moldave i kanë kushtuar vëmendje të madhe kësaj përballje, e cila sipas tyre është e rëndësishme për të dyja skuadrat, ku në rast fitore të kuqezinjve, sigurohet menjëherë kalimi drejt Euro 2024. Shpresa ka dhe për kundërshtarin tonë, i cili ndeshjet e radhës i ka ndaj Shqipërisë e më pas me Çekinë.

Çmimet e biletave për këtë sfidë variojnë nga 30 deri në 120 euro, ku në përballje të këtij niveli konsiderohen të përballueshme. Trajneri Sergei Kleshenko gjithashtu ka publikuar listën e lojtarëve të cilët do të grumbullojë në këtë ndeshje, ku nga 25, 7 prej tyre luajnë në kampionatin vendas. Në kampin kuqezi ende nuk ka asnjë zhvillim, teksa pikëpyetja më e madhe mban emrin Armando Broja.