Shqipëria forcon kontrollin e armëve dhe teknologjive

Qeveria shqiptare ka prezantuar një projektligj të rëndësishëm që synon të modernizojë kuadrin ligjor për kontrollin e eksporteve të armëve dhe teknologjive me përdorim të dyfishtë. Ky akt është një hap strategjik dhe i domosdoshëm për të përafruar legjislacionin e vendit me standardet e Bashkimit Evropian, si pjesë e procesit të negociatave për anëtarësim.
Projektligji reflekton ndryshimet e reja që burojnë nga Rregullorja (BE) 2021/821 dhe është parashikuar si një piketë thelbësore për mbylljen e Kapitullit 30 të negociatave, shkruan rtsh.al.
Ndryshimet kryesore dhe objektivat
Drafti i ri ligjor sjell disa përmirësime dhe shtesa thelbësore, duke adresuar boshllëqet e identifikuara në ligjin ekzistues dhe duke rritur efikasitetin e sistemit kombëtar të kontrollit. Përveç forcimit të sigurisë kombëtare, projektligji synon të bëjë Shqipërinë një partner më të besueshëm në tregtinë ndërkombëtare të mallrave strategjikë.
Ndryshimet kryesore përfshijnë kontrollin e mallrave jo të listuara. Vendoset një klauzolë e re, e quajtur “catch-all”, e cila lejon kontrollin e mallrave që nuk janë të regjistruara në listën zyrtare, por që dyshohet se mund të përdoren për zhvillimin e armëve të ndaluara ose qëllime të tjera të papërshtatshme.
Projektligji përcakton rregulla specifike për kontrollin e eksportit të pajisjeve të mbikëqyrjes kibernetike. Kjo siguron që teknologjia nga Shqipëria të mos përdoret për represion politik, censurë ose abuzime të të drejtave themelore të njeriut në vende të tjera.
Lidhur me përafrimin me standardet e BE-së, shtohen në ligj tetë kritere të përcaktuara nga BE-ja, të cilat do të shërbejnë si bazë për vlerësimin e riskut dhe vendimmarrjen për çdo kërkesë licencimi.
Projektligji parashikon lehtësimin e procedurave, duke zgjatur afatin e vlefshmërisë së licencave nga një në dy vjet, duke rritur sigurinë juridike për operatorët ekonomikë dhe duke rregulluar më qartë llojet e ndryshme të licencave.
Zbatimi i ligjit të ri do të realizohet me kapacitetet aktuale të institucioneve dhe nuk pritet të sjellë kosto shtesë në buxhetin e shtetit. Për zbatimin e tij do të angazhohen Autoriteti i Kontrollit Shtetëror të Eksporteve (AKSHE), Ministria e Punëve të Jashtme, Policia e Shtetit, Doganat dhe agjenci të tjera kyçë.