75 Mall Live Search
21:18 / E Enjte, 22 Maj 2025 / Burim

Shqipëria hap negociatat për grup-kapitullin e tretë, Rama: Rruga drejt BE-së vazhdon pa ndalim

Shqipëria çeli grup-kapitullin e radhës të negociatave me Bashkimin Evropian, që çon në 4 nga 6 grupkapitujt për të cilat nisin bisedimet.

Në Bruksel nga Tirana ishin tre ministrat që përfaqësojnë vendin në tryezë me BE-në, ai Punëve të Jashtme Igli Hasani, kryenegociatorja Majlinda Dhuka dhe ministrja Adea Pirdeni.

“Konkurrueshmëria dhe Rritja Gjithëpërfshirëse”, është grup-kapitulli që Shqipëria hap nga 6 në total, duke kaluar në renditje edhe para Serbisë, e cila i ka çelur negociatat qysh në vitin 2014-të, e megjithatë as për një dekadë nuk ka arritur t’i hapë të gjithë kapitujt negociues me BE-në.

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, i cili kryesoi delegacionin shqiptar në Bruksel thotë se ky hap është reflektim i progresit të Shqipërisë në rrugën drejt BE. Ai nënvizon gjithashtu se rrugëtimi ynë drejt BE-së nuk ka qenë ndonjëherë kaq i qartë apo më i vendosur.

“Një gurthemel i ri i hedhur me hapjen zyrtare të Grup-Kapitullit 3 – Konkurrueshmëria dhe Rritja Gjithëpërfshirëse – gjatë Konferencës së 5-të Ndërqeveritare të mbajtur në Bruksel. Hapja e 8 kapitujve të rinj sot reflekton progresin e bazuar në meritë të Shqipërisë dhe është një tregues i qartë se sa shumë kemi arritur brenda një kohe shumë të shkurtër”, shprehet Hasani, shkruan Shqiptarja.

Kryeministri Edi Rama e vlerësoi sot ritmin e lartë me të cilin po punohet për integrimin e Shqipërisë drejt BE-së, pas hapjes edhe të grup-kapitullit të tretë ditën e sotme në Bruksel. Kreu i mazhorancës reagoi me anë të një postimi në llogarinë personale në rrjetin social Facebook, duke u shprehur se “rruga e Shqipërisë drejt BE-së vazhdon pa ndalim”.

“Deri tani janë hapur negociatat për 24 kapituj në vetëm 8 muaj dhe mbeten vetëm 11 të tjerë për t’u hapur – një ritëm tejet i lartë që tregon përparimin e Shqipërisë dhe mbështetjen e BE-së për të arritur objektivin e përbashkët të mbylljes së negociatave më 2027”, tha Rama mes të tjerash.