75 Mall Live Search
07:24 / E Premte, 07 Shkurt 2020 / indeksADMonline

Shqipëria me një ligj për sektorin Fintech

Shqipëria do të ketë shumë shpejt një ligj të ri për shërbimet e pagesave. Kuvendi i Shqipërisë ka nisur zyrtarisht procedurat e miratimit të ligjit në fjalë, që pritet të nxisë konkurrencën në tregun e pagesave dhe të sjellë shërbime të reja.

Linda Shomo, drejtore e përgjithshme e kompanisë Easy Pay, shpjegon risitë kryesore që do të sjellë ligji i ri në shërbimet e pagesave për qytetarët. Kompanitë e modelit fintech janë një realitet i rëndësishëm tashmë në shërbimet e pagesave.

Për fat të keq, në këtë drejtim Shqipëria ka ngelur mbrapa, jo vetëm në raport me vendet e Bashkimit Europian, por edhe me ato fqinje.

Zonja Shomo thotë se deri tani, kuadri ligjor dhe rregullator nuk e ka favorizuar shumë zhvillimin e këtyre institucioneve financiare. Një studim i Bankës së Shqipërisë dhe Bankës Botërore ka treguar se pagesat me vlerë të vogël kanë një kosto sa rreth 2.5% e Prodhimit të Brendshëm Bruto ose pothuajse 300 milionë dollarë në vit.

Kostot e mëdha lidhen shumë me dominimin e parazë fizike si instrument pagesash në ekonominë shqiptare.

Një zëvendësim gradual i pagesave cash me forma të tjera dhe kryesisht pagesa elektronike do të sillte kursime të konsiderueshme për ekonominë dhe veçanërisht për konsumatorët.

Mbështetur në disa skenarë hipotetikë, zëvendësimi i 70% të pagesave në formë letër me pagesa elektronike do të gjeneronte kursime në një vlerë sa pothuajse 1% e prodhimit kombëtar.