Shqipëria me reforma për ujin, Rama: Do të ngrihet një task forcë

“Heqje lirie për këdo që vjedh ujin!”
Ky ishte ultimatumi i kryeministrit Edi Rama gjatë prezantimit të reformës për rrjetin e shpërndarjes dhe prezantimit të Operatorit të Ujit.
Ai kritikoi bashkitë, të cilët sipas kreut të qeverisë nuk arritën të vendosnin vijën e kuqe mes personave që vidhnin dhe paguanin.
“Vija e kuqe që fatkeqësisht bashkitë s’e vendosën asnjëherë mes atij që paguan dhe atij që vjedh ujin, ai që paguan ka të gjithë të drejtën të vendosë kujën pse nuk e merr ujin, ai që e vjedh duhet të penalizohet me heqje lirie siç ndodhi me ata që vjedhin energjinë elektrike. Është treguar një përrallë e gjatë që iu hoq liria atyre që nuk paguan energjinë, iu pre energjia, nuk iu hoq liria.
Një gjë është të mos e paguash dhe një gjë ta vjedhësh. Një gjë është të mos e paguash ujin kur të vjen në rubinet dhe je një klient i regjistruar, një gjë është të fusësh tubin te kanali kryesor i furnizimit dhe të vadisësh me ujë të pijshëm bahçen dhe të furnizosh lavazhin“, tha Rama.
Rama gjithashtu theksoi se do të ngrihet një Task Forcë për personat që abuzojnë me ujin, ashtu siç funksionoi edhe me energjinë elektrike.
“Siç krijuam Task Forcën e energjisë, do të krijojmë Task Forcën e ujit në nivel kombëtar dhe do të punojmë shumë fort për të respektuar qytetarët që paguajnë rregullisht ujin dhe që meritojnë një shërbim më të mirë.
Gjithashtu do të krijohet Operatori Kombëtar i Trajtimit të mbetjeve, sot që flasim po ndërtohet ujësjellësi i Tragjasit, a thua se vajti një kuçedër dhe u thante burimin. Janë 4 muaj për të intensifikuar punën dhe për t’i dhënë jetë operatorit të ujit në janar të vitit që po vjen me shpejtësi”, tha Rama./TOPChannel/