Shqipëria vendos për bastet online
Qeveria ka miratuar procedurat e reja për pezullimin ose revokimin e licencave të operatorëve të basteve sportive online në Shqipëri.
Vendimi përcakton rastet kur subjektet mund të ndëshkohen, si mosrespektimi i kushteve të licencimit, mospagimi i detyrimeve financiare apo përsëritja e shkeljeve të parashikuara në ligj.
Sipas aktit, procedurat do të nisin nga Autoriteti i Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit (AMLF) ose Komisioni i Licencave, ndërsa vendimi përfundimtar do të merret nga ministri përgjegjës për Financat. Operatorëve u garantohet e drejta për t’u dëgjuar dhe për të paraqitur argumentet e tyre përpara marrjes së masës.
Licenca mund të pezullohet nga 30 ditë deri në një maksimum prej dy vitesh, periudhë gjatë së cilës operatori nuk mund të ushtrojë aktivitetin. Gjithashtu, pranë Ministrisë së Financave do të ngrihet një komision AD-HOC për shqyrtimin e rasteve, ndërsa operatorët do të kenë të drejtën ta ankimojnë vendimin në gjykatë.

