Shqipëria zgjedh trajnerin e ri, një brazilian në stolin e kombëtares

Kombëtarja e Shqipërisë më në fund pritet të bëhet me trajner të ri.
SuperSport raporton se në ditët e para të janarit do të emërohet trajneri i ri i Shqipërisë, transmeton IndeksOnline.
Burimet pranë Federatës Shqiptare të Futbollit i kanë thënë gazetës se braziliani Sylvinho pritet të marrë drejtimin e kuqezinjve, pasi bisedimet me 48 vjeçarin kanë nisur prej kohësh dhe aktualisht po negociohen detajet e fundit të kontratës.
Krahas Sylvinho-s në listën e presidentit Armand Duka ishin dhe Reinaldo Rueda, Felix Magath, Massimo Oddo, por braziliani ka fituar më shumë pikë dhe pritet ti besohet projekti i ardhshëm i kombëtares.
Vetë presidenti Duka e hodhi si ide emrin e 48-vjeçarit në një emision në RTSH, gjatë botërorit. Ish-mbrojtësi i majtë ka qenë ndihmësi i trajnerit Tite tek brazili, ndërsa është dhe një emër mjaft i njohur në futbollin botëror.
Gjatë karrierës së tij si trajner si ka drejtuar ekipin brazilian të Corinthians nga maji i 2021 deri në shkurt të 2022, ndërsa ka qenë trajner i Lyon në Francë nga maji i 2019 deri në tetor të atij viti. Sigurisht eksperienca përkrah Tites është vlerësuar nga numri një i federatës që duket se e ka bërë zgjedhjen e tij. Si futbollist Sylvinho ka pasur sukses në Spanjë, Angli dhe Brazil me skuadra si Barcelona, Manchester City, Arsenal, Celta dhe Corinthians./IndeksOnline/