Shqiptarët në ndihmë të njëri-tjetrit, tenda të hapura e batanije mbi krahë, kjo është situata në Durrës
Kanë kaluar shumë orë që nga goditja e parë e tërmetit 6.4 shkallë të rihterit në Shqipëri.
Durrësi dhe Thumana vazhdojnë të jenë dy vendet më të prekura nga lëkundjet e njëpasnjëshme të tokës, që morën jetën e shumë personave.
22 viktima, qindra të lënduar e shumë të zhdukur nën rrënojat e ndërtesave të shkatërruara është gjendja e deritanishme në Shqipëri.

Shumë tenda janë hapur në Durrës për t’i sistemuar banorët e këtyre anëve në mënyrë që të mund të qëndrojnë gjatë natës, ku temperaturat janë mjaft të ulëta.
Raportuesit e Indeksonline nga vendi i ngjarjes bëjnë të ditur se të gjithë banorët vazhdojnë të jenë të shqetësuar me gjendjen dhe se shumë prej tyre po presin që të marrin ndonjë informacion lidhur me familjarët e zhdukur.
Ushqim, veshmbathje e shumë gjësende të tjera janë dërguar në Shqipëri në mënyrë që t’u dilet në ndihmë shqiptarëve që sot po përballen me një tragjedi të madhe që ra mbi Shqipërinë që në orët e para të mëngjesit.

Tendat janë hapur ndërsa për asnjë moment të vetëm nuk ka munguar ndihma e Kosovës në drejtim të shtetit shqiptarë, madje edhe me dërgimin e forcave të FSK-së deh të Policisë së Kosovës për të vazhduar operacionin e kërkimit./Indeksonline/

