22:02 / E Shtunë, 24 Nëntor 2018 / indeksADMonline

Shqiptarët, njëqind vjet pas Luftës së Madhe

Opinion nga Sylë Ukshini

Më shumë se nëntë milionë njerëz humbën jetën dhe 20 milionë u plagosën gjatë të Luftës së Parë Botërore, e cila ishte lufta që përfshiu pothuajse gjithë botën, bllokun e Antantës, ku bënte pjesë Britania ,Franca dhe Rusia dhe blloku Trepalësh ku bënte pjesë Gjermania, Austro-Hungaria dhe Italia. Që nga luftërat ballkanike e dyja blloqet kërkonin pretekst për fillimin e luftës.  Preteksti kryesor ishte mosdurimi i serbëve ndaj Austro-Hungarisë, aleatit kryesor të pavarësisë së Shqipërisë, që kulmoi  në qershor 1914 me vrasjen e kryedukës Franc Ferdinandit, trashëgimtarit të fronit të Perandorisë Austro-Hungareze dhe gruas së tij, Dukeshës Sofi, nga Gavrilo Princip, pjesëtari i organizatës terroriste serbe “Dora e Zezë”.  dhe e miratuar nga qarqet qeveritare serbe.

Elita politike serbe, të dehura nga fitorja kundra Perandorisë Osmane, më pas dëshironin të gjunjëzonin edhe Perandorinë Austro-Hungareze  dhe t’i bashkonin të gjithë serbët në një shtet. Vetëm një muaj më vonë, në korrik të vitit 1914  lufta kishte kapluar mbarë Evropën. Në fund të luftës, 25 shtete me rreth 1.4 miliardë njerëz ishin në një gjendje lufte, e cila ishte rreth tre të katërtat e popullsisë së tokës?????. Në këtë konflikt mbarëbotëror të armatosur u përballuan dy fuqi të mëdha: Në njërën anë Perandoritë qendrore Gjermania dhe Perandoria Austro-Hungareze) dhe nga ana tjetër Pakti i Trefishtë,  Mbretëria e Bashkuara, Franca, dhe Rusia.

Në fakt, Lufta e Parë Botërore ishte vazhdim i dy luftërave ballkanike, në të cilat ishin të involvuara shtetet ballkanike. Më 1913, një vit para atentatit të Sarajevës, gjashtë shtetet e Ballkanit zhvillonin një luftë kundër njëri-tjetrit, e cila më kalimin vitit mori përmasa pothuajse globale. Dy luftërat ballkanike të viteve 1912 dhe 1913 u interpretuan pothuajse si pionierë të katastrofës, në të cilën Evropa e vjetër u shkatërrua, pati gjenocid dhe dëbime masive, midis 1914 dhe 1918.

Historianët, edhe sot debatojnë për shkakun dhe përgjegjësinë e shpërthimit të Luftës së Parë Botërore. Është mase e vërtetë se gjermanët ishin të gatshëm të rrezikonin për luftë, sikurse ishin rusët, francezët, edhe britanikët të cilët vepruan në anën e Antantës.  Pyetja qendrore është çfarë shkoi ters në verën e vitit e vitit 1914, kur gjermanët pa kushte u vendosën në anën e Austro-Hungarisë dhe Rusia në krah të Serbisë. Historiani i njohur gjerman Sönke Neitzel thotë se “studimet kanë treguar  se në  këtë luftë nuk ka pasur fajtor të vetëm”. Nuk kishte dyshim se në verë të vitit 1914 pati një krizë të përgjithshme evropiane, e cila burimin e saj e kishte tek problemet e trashëguara që nga Kongresi i Berlinit, përkatësisht luftërat ballkanike të viteve 1912/13 që përgatitën terrenin për Luftën e Parë Botërore.

Siç konstaton Neitzel, secili kishte shans që të evitonte dhe askush nuk e mori seriozisht këtë situatë të krijuar. Gjermanët nuk ishin të vetmit imperialist, sigurisht ata ishin bashkëfajtor, por edhe Austro-Hungaria ka mundur të vendoste që të mos e niste luftën kundër Serbisë. Po kështu, rusët dhe francezët  kanë mundur të mos përfshihen në luftë shkaku i Serbisë. Por, nuk ka kurrfarë dyshimi se konflikti anglo-gjerman ishte pika qendrore e Luftës së Parë Botërore. Fuqitë e tjera të mëdha, që hynë në luftë më 1914, hynë për arsye shumë të ndryshme: mësymja  e austriakëve kundër Serbisë në fundin e korrikut 1914 u shërbente dy qëllimeve, të cilat janë:

E para-Habsburgët synonin ta shmangnin Serbinë si forcë me ndikim destabilizues ndër sllavët e perandorisë, ndërsa, E dyta- Gjermania dëshironte ta shihte këtë vend të nënshtruar për arsye strategjike.

Për dallim nga shekulli i 19 kur bëhej përpjekje për ndërhyrje në zgjidhjeve e krizave, tani nuk ekzistonte më konsensus për zgjidhjen e krizës si dekada më përpara. Të gjitha fuqitë e mëdha luftën e shihnin si mjet të politikës, asnjëra nga pesë fuqitë në Evropë nuk bëri përpjekje që të siguronte paqen. Kështu, kjo luftë që në fillim u shikua si Luftë e Tretë Ballkanike. Pra, kjo luftë u shndërrua në një luftë globale dhe totale. Ishte lufta e parë me një publik dhe masivitet medial. Kjo çoi te një mobilizim i shpejtë i masave dhe në radikalizmin e metodave dhe të qëllimeve.  Me thellimin e krizës, Fuqitë Qendrore edhe të Antantës, bënë përpjekje të mëdha për të bindur shtetet e Ballkanit të hynin në aleancat e tyre. Në këtë mënyrë, në marrëdhëniet e ndërlikuara brenda dy blloqeve, Fuqive Qendrore dhe Antantës, i’u ngatërruan edhe pjesa më e madhe e vendeve të Ballkanit, sidomos Serbia, Turqia, Bullgaria dhe Rumania.  Me përjashtim të vendeve tjera të Ballkanit, veçanërisht të Serbisë, prapa së cilës qëndronte Rusia dhe ndonjë fuqi evropiane e kohës. Shqiptarët e Kosovës dhe Shqipëria në fakt nuk kishin ndonjë aleat të përcaktuar. Hyrja në secilin nga sistemet e Fuqive të Mëdha kishte mos epërsitë e veta, kurse  kthesat në fushat e betejës dëshmonin se forca tërheqëse e të dy blloqeve ndryshonin vazhdimisht.

Në këtë periudhë në Ballkan u përplasën dy tendenca kryesore të politikës ndërkombëtare. Në njërën anë, dëshirat gjithnjë e më agresive të shprehura nga shtetet e Ballkanit lidhur me ekspansionin territorial, dhe në ana tjetër, konkurrenca e fuqive evropiane për pushtet dhe ndikim. Fusha në të cilën të dyja linjat u përplasën ishte Ballkani dhe çështja shqiptare.

Incidenti Prochaska në Prizren, kumti i konfrontimit ushtarak ndërmjet Austro-Hungarisë dhe Serbisë

Lufta e Parë Botërore nisi në Ballkan dhe jo vetëm për shkak të vrasjes të trashëgimtarit të fronit të Austro-Hungarisë, arkidukës Franz Ferdinand. Por edhe për shkak se Luftërat Ballkanike të viteve 1912-1913 kishin lënë të hapura shumë çështje, të cilat përkohësisht ishin “zgjidhur” në Konferencën e Londrës nga gjashtë fuqitë e mëdha të asaj kohe, Rusia, Britania, Franca, Italia, Gjermania dhe Austro-Hungaria. Krijimi i shtetit shqiptar edhe një herë ndezi emocionet nacionaliste të fqinjëve të tyre. Në këtë rrethanë, në territorin e shqiptar, përplaseshin interesat e Austro-Hungarisë dhe të Serbia, e cila synonte të okuponte Kosovën dhe të siguronte daljen në Adriatik.

Ky veprim e tërboi Vjenën zyrtare. Depërtimi i trupave serbe në Kosovë, menjëherë u shoqërua me dëbimin e mijëra shqiptarëve, ndërsa dhjetëra mijëra u masakruan. Në këtë kuadër, një ngjarje tjetër që rriti tensionet midis Vjenës dhe Beograd në prag të Luftës së Parë Botërore, ishte incidenti me diplomatin austro hungarez në Prizren, konsullin Oskar Prochaska që kishte ndodhur gjatë Luftës së Parë Ballkanike dhe vetëm disa muaj para fillimit të Luftës së Parë Botërore.

Ushtria serbe, me qëllim që të fshiheshin gjurmët e represionit masiv dhe krimeve mbi popullsinë civile shqiptare që në ditët e para të invazionit në Kosovë, në kundërshtim në çdo normë ndërkombëtare ndërmori masa represive ndaj konsullit austro-hungarez në Prizren, Oskar Prochaska, me origjinë nga Bërno e Çekisë së sotme. Sipas të dhënave arkivore, pasi serbët pushtuan Prizrenin gjatë invazionit në Kosovë, Prochaska i mblodhi shqiptarët dhe turqit në qytet dhe u bëri thirrje për luftë dhe mosdorëzim.

Sipas korrespodentit të luftës Leon Trosky (1879-1940), ai dhe bashkëpunëtorët e tij u goditën nga forcat serbe. Ky incident u raportua në media dhe u bë një incident diplomatik. Beogradi i paraqiti protestë Ministrinë së Jashtme të Austro-Hungarisë dhe e demantoi ngjarjen. Por, Prochaska ishte detyruar me forcë, që të largohej nga Prizreni me 24 nëntor 1912 dhe për një kohë e kishte humbur kontaktin me Vjenën.

Përfaqësuesit e ushtrisë serbe, e akuzuan konsullin Prochaska dhe bashkëpunëtorët e tij, se qëlluan mbi ushtrinë e tyre dhe se po nxisnin shqiptarët për rezistencë ndaj trupave të ushtrisë okupatore. Prochaska ishte një diplomat i kalitur me përvojë në Ballkan. Kufizimi i lëvizjes dhe më pas largimi i konsullit Prohaska bëhej me qëllim që qeveria serbe të fshehte gjurmët e represionit masiv dhe krimeve që filloi të bënte në Kosovën e pushtuar.

Pas protestës së qeverisë austro-hungareze, me qëllim që sensibilizojë publikun ndërkombëtar se qeveria serbe kishte shkelurrregullat dhe normat ndërkombëtare,  Beogradi ishte i shtrënguar që në janar të vitit 1913 të lejonte rikthimin e konsujve austro-hungarez në Prizren dhe në Mitrovicë. Mirëpo, konsulli Prochaska nuk qëndroi më në Prizren, ashtu si edhe zëvendëskonsulli Ladislav Tachi Tahy që nuk u kthye më në Mitrovicë, pas presionit dhe abuzimeve që kishte përjetuar nga pjesëtarët e ushtrisë serbe.

Rasti i konsullit Prochaska u ndërthurur me pushtimin serb të Kosovës dhe çështjen më të madhe të Serbisë për daljen në Detin Adriatik, përmes Shqipërisë veriore dhe refuzimit të fortë austro-hungareze, për çdo prani serbe në Adriatik. Afera Prochaska, ishte konflikti serioz në një seri konfliktesh të Austro-Hungarisë me Serbinë që shënuan preludin e Luftë së Parë Botërore. Kjo ndërlidhet edhe me konfrontimin e kahershëm, rreth çështjes së Bosnjës, që nga Kongresi i Berlinit. Sloganet dhe parullat nacionaliste “Poshtë Austria” , “Poshtë Gjermania”, Rroftë Bosnja jonë“ ,  që thërriste dhe brohoriste popullata serbe, në mesin e tyre edhe ushtar dhe pjesëtar të bandës, në Prizren me rastin e largimit të imponuar të konsullit Prochaska nga Prizrenit,  ishte paralajmërimi sinjikativ se konfrontimit serb-austro-hungarez po afrohej.

Lufta e Madhe dhe shqiptarët

Shpërthimi i Luftës së Parë Botërore, e përkeqësoi edhe më tej pozicionin e shqiptarëve në Ballkan, veçanërisht të shtetit të brishtë shqiptar si dhe solli ndryshime të menjëhershme midis fuqive të mëdha evropiane dhe në dobësimin e mëtejshëm të pozitave të Princ Vidit, i cili më në fund vendosi që me 3 shtator 1914 të largohej.

Në dritën e luftës të sapo filluar në Evropë, Italia dhe Austro-Hungaria ndiqnin me shumë interes zhvillimet e brendshme shqiptare. Shqipëria në arenën ndërkombëtare, u kthye sërish në atë pikë, ku kishte qenë para Konferencës së Ambasadorëve në një territor, që sipas të drejtës ndërkombëtare, nuk i takonte askujt. Shqipëria nuk mund të ishte si shtet palë ndërluftuese, sepse me largimin e Wied-it de facto shteti shqiptar u zhbë, dhe territori i tij u pushtua nga austriakët, serbët, malazezët, grekët, francezët, bullgarët, italianët, dhe secili prej tyre kishte aleatët e vet shqiptarë. Kishte vetëm pak njerëz, që angazhoheshin për Shqipërinë, dhe për fat të keq ata nuk kishin shumë ndikim, si Edith Durham, Leo Freundlich, apo Aubrey Herbert.

Derisa, Italia negocionte paralelisht me Fuqitë qendrore dhe ato të Antantës për realizimin e  interesave të saj në Shqipëri. Për pushtimin e Vlorës dhe vendosjen e një lloj protektorati mbi një shtet të vogël shqiptar, i cili do të shtrihej midis lumenjve Vjosa dhe Mat. Në tjetrën anë, Austro-Hungaria bëri përpjekje ta nxiste princ Vidin që t’i shpallte luftë Serbisë, duke shfrytëzuar një kryengritje të pritshme që do të fillonte në Kosovë.

Është fakt, se deri me shpërthimin e luftës, ishte e garantuar ndërkombëtarisht asnjanësia e Shqipërisë, por në rrethanat e reja ajo ishte bërë e pavlefshme, dhe në këto rrethana Shqipëria, as nuk kishte aleat dhe as garanci për tërësinë e saj ndërkombëtare. Mos rreshtimi i Vidit kundër Serbisë, duke u thirrur tek asnjanësia, e zhgënjeu Vjenën, e cila u angazhua në lidhje direke me udhëheqësit shqiptar të Kosovës, që ndodheshin në Durrës, si Hasan Prishtinën, Isa Boletinin, Bajram Currin e tjerë. Ajo, duke njohur synimet dhe aspiratat e tyre kombëtare, nxiti ata për të organizuar një kryengritje në Kosovë, me kusht, që pas fitores së ushtrisë së Austro-Hungarisë mbi Serbinë, do të merrte fund edhe sundimi i Serbisë mbi Kosovën. Në anën tjetër, Rusia pjesëmarrjen e shteteve ballkanike në luftë, në anën e fuqive të Antantës e lidhte me ndarjen territoriale të Shqipërisë midis Serbisë, Greqisë dhe Italisë.

Anglia dhe Franca i dhanë mbështetje projektit të diplomacisë ruse, e cila ishte e interesuar të forconte influencën e Rusisë në vendet ballkanike sllave ortodokse. Veçanërisht, ministri i jashtëm rus Sergej Sazanov, i cili gjithnjë kishte kundërshtuar krijimin e Shqipërisë, i kushtonte rëndësi të madhe faktit që Greqia dhe Serbia duhej të kishin kufi të përbashkët në kurriz të Shqipërisë.

Shqiptarët, të ndodhur pa një qeveri qendrore dhe të pa konsoliduar si shtet, u treguan të ngadalshëm, si për të përfituar vetë, ashtu edhe për të kërkuar përfitime nga rendi i ri ndërkombëtar. Objektivat e tyre kombëtare, ndesheshin me kundërshtimet e grekëve, serbëve, italianëve. Në anën tjetër  gati, pjesën më të madhe të kohës luftës, shqiptarët  ishin të përçarë, e për rrjedhojë të dobët, krahasuar me rivalët e tyre. Kështu, procesi i zhbërjes, plotësisht dhe de facto të Shqipërisë filloi me hyrjen e trupave greke brenda territorit shqiptar në tetor 1914, të pasuar dy muaj më pas, edhe nga zbarkimi i forcave italiane në Vlorë, për të vazhduar edhe me pushtimin e Shqipërisë veriore, verilindore, e të mesme nga forcat serbe dhe malazeze në qershor të vitit 1915. Është interesat, se pushtimi  italian i Vlorës u miratua në parim nga fuqitë e mëdha, të dy blloqeve ndërluftuese, me justifikimin se gjoja ky veprim ishte për ruajtjen e vendimeve të Londrës. Veçanërisht, ato që kishin të bënin me asnjanësinë dhe kufijtë e Shqipërisë. Epilogu i këtij qëndrimi të diplomacisë evropiane ishte Traktati i Fshehtë i Londrës më 26 prill 1915 midis Anglisë, Francës dhe Rusisë nga njëra anë, dhe Italisë nga ana tjetër. Ky traktat shënoi edhe de jure, fundin e statusit të asnjanësisë dhe të pavarësisë të Shqipërisë, të përcaktuar nga vendimet e Konferencës së Ambasadorëve në Londër më 1913.

Në ndërkohë, situata në Shqipëri u bë edhe më anarkike në momentin kur forcat rebele  shqiptare, pas hyrjes së Turqisë në luftë kundër Antantës, u lidhën më ngushtë me Stambolli dhe kërkuan me forcë, një princ turk për fronin e Shqipërisë. Në këtë rrethanë dhe në kulmin e anarkisë në Shqipëri erdhi Esat Pasha, i cili me 28 qershor 1915 nënshkroi në Tiranë një marrëveshje të re me Serbinë, që në fakt ishte vazhdim i thellimit të marrëveshjes së shtatorit 1914 në Nish. Me ndihmën e Serbisë, e cila i kërkonte Esatit të bënte luftë kundër Austro-Hungarisë, me premtimin e Serbisë se pas Luftës botërore do të zgjidhje princ i Shqipërisë.

Por me kusht që shteti shqiptar de facto do të ishte protektorat serb dhe kufijtë e tij të rrudheshin edhe më shumë në favor të Beogradit, dhe në një etapë të mëvonshme do të ndodhet bashkimi në një shtet të vetëm. Situata e re e krijuar në Shqipëri me pushtimin e Shkodrës nga malazezët, të Elbasanit e Tiranës nga serbët, të jugut nga grekët dhe të Vlorës nga Italianët, i dha mundësi Esat Pashës që përkohësisht dhe me ndihmën e Pashiqit të konsolidonte regjimin e tij në Shqipërinë e Mesme. Kjo përkeqësohej më tej, edhe prej faktit, se në vend nuk kishte asnjë faktor qendror, që do të ishte në gjendje ta, mbante shtetin të bashkuar. Romani i Ismail kadaresë “Viti i mbrapshtë” e përshkruan këtë kaos shumë tragjikomik, në të cilin shpejt as shqiptarët dhe as të huajt nuk po e merrnin, më vesh se cili qe aleat me kë dhe kush luftonte për çfarë.

Kjo gjendje e anarkisë shqiptare nuk ndryshoi shumë, as pas janarit 1916, kur nisi pushtimi austro-hungarez, që  deklaronin se ata kishin hyrë në Shqipëri, vetëm për të dëbuar serbët dhe italianët, të cilët u bënin thirrje shqiptarëve për lojalitet. Por, shumë shpejt, u bë e njohur se trupat austro-hungareze, i trajtonin shqiptarët mjaft keq. Ky hap, nuk arriti të bënte për vete gjithë shqiptarët.. Të paktën do të ishin ata që do të hynin në radhët e ushtrisë austriake.

Grupi më i rëndësishëm, që anoi nga austro-hungarezët, ishte një forcë e kryesuar nga Ahmet Zogu, i cili  shpejt konsolidoi pushtetin e tij duke shfrytëzuar edhe boshllëkun e krijuar nga tërheqja e forcave serbe dhe ato të Esat Pashës gjatë dimrit 1915-1916. Por, në fakt Ballhausplatz-i nuk e kishte ndërmend t’i linte shqiptarët të vetë udhëhiqnin.  Shqiptarët, do të ishte nën administrimin austro-hungarez, dhe për këtë ajo kishte emëruar August Kral-in, administrator civil të Shqipërisë. Në fakt, kjo nuk i kënaqte shqiptarët, dhe Ballhausplatz-i ishte më i kujdesshëm se krahu ushtarak perandorak, që të mos acarohen marrëdhëniet  me shqiptarët. Në këto rrethana ushtria perandorake dhe Ballahauplatzi, arritën kompromisin e Teshenit mbi “vetamdinistrimin e Shqipërisë nën mbrojtjen efektive të Perandorisë” i cili në formën e një proklamate u shpall me 23 janar 1917 në Shkodër.

Megjithatë,  në fund të luftës, shqiptarët e shihnin situatën e tyre ndërkombëtare më premtuese. Pasi shtetet e interesuara nuk do të përziheshin më, por kjo pikëpamje ishte naive dhe nuk do të vërtetohej, sepse, interesat gjeopolitike të pasluftës ishin po aq të rëndësishme. Rikrijimi i Shqipërisë si shtet i pavarur, nuk kishte ndonjë prioritet veçanërisht të lartë për askënd. Mobilizimi i brendshëm shqiptar bëri që më në fund pavarësia e pezulluar gjatë Luftës së Parë Botërore të rikonsolidohej  gradualisht, nga janari i vitit 1920 me Kongresin e Lushnjës, i cili mbetet një nga ngjarjet më të ndritura të historisë shqiptare.

Pas stabilizimit të përkohshëm të shtetit shqiptar, erdhi sërish Lufta e Dytë Botërore, e përplasi Shqipërinë në kampin socialist për afro gjysmë shekulli. Izolimi i Shqipërisë komuniste, nga bota ishte pa dyshim, një rrethanë rënduese për shqiptarët e Kosovës dhe favorizuese për serbët. Po kështu, për shkak të konujkturave ideologjike dhe interesave gjeopolitike dhe për hir të ruajtjes së ekuilibrave strategjike të Luftës së Ftohtë bota u soll me mospërfillje ndaj Kosovës.Por, me përfundimin e Luftës së Ftohtë, që u pasua edhe me shpërbërjen e Jugosllavisë shumëkombëshe dhe të Perandorisë Sovjetike, dështoi edhe përpjekja për Serbinë e Madhe dhe me formimin e shtetit të Kosovës dhe pesë shteteve të reja u çmontua Jugosllavia e Versajës, e krijuar në fund të Luftës së Madhe.

Kosova

Si rezultat i luftërave ballkanike dhe i vendimeve të Konferencës së Londrës, Kosova mbeti nën kontrollin e administratës represive të shtetit serb dhe atij malazias, që ndaj shqiptarëve aplikuan politika shkombëtarizuese. Komisioni hetimor Ndërkombëtar, i themeluar më 1914, raportoi se në Kosovë po zhvillohej një politikë e spastrimit të vërtetë etnik:

“ Shtëpitë dhe fshatrat të tëra ishin bërë  hi, popullata e pafajshme dhe e paarmatosur ishte masakruar…këto ishin masat që ishin zbatuar dhe ende po zbatohen nga ushtria serbe dhe malazeze, me qëllim të transformimit të plotë të karakterit etnik të rajoneve të banuar ekskluzivisht nga shqiptarët”.

Në këto rrethana shpresa e vetme e shqiptarëve ishte Austro-Hungaria, e cila jo vetëm se kishte mbështetur themelimin e shtetit shqiptar, por ishte kundërshtarja më e madhe e Serbisë, të cilën e luftonte, që të mos shndërrohej në fuqi ballkanike dhe të mos fitonte dalje në Adriatik. Shqiptarët e Kosovës, besonin se pushtimi serb i Kosovës, ishte i përkohshëm. Por rrjedha e Luftës së Parë Botërore, shpërbërja e Perandorisë Austro-Hungareze, shënoi mbarimin e rendit botëror që ishte vendosur në Kongresin e Vjenës me 1815.

Atëbotë, ekzistonin ide krejtësisht të ndryshme, se si do të organizohej Ballkani pas luftës. Nëse do të kishin fituar Fuqitë e Treshes, sigurisht mbretëria e Jugosllavisë nuk do të ishte krijuar, dhe ekzistencës së Serbisë dhe të Malit të Zi, do t’i kishte ardhur fundi, prej një zgjerimi të mëtejshëm të Austro-Hungarisë drejt Juglindjes dhe ekspansionit perëndimor të Bullgarisë. Po ashtu, Shqipëria dhe Kosova natyrisht, se do të kishin pozicion tjetër, megjithëse asnjë nga shtetet evropiane nuk e kishte në agjendës zgjidhjen e çështjes shqiptare.

Ministri austro-hungarez i Punëve të Jashtme, Burian, ishte i mendimit që pjesa më e madhe e Kosovës, t’i bashkohej shtetit shqiptar të pavarur. Nuk u zbatua as kjo politikë. Kosova dhe Shqipëria, mbetën të pabashkuara, kështu që shqiptarëve u duheshin leje të veçanta, për të kaluar kufirin nga njëra anë në tjetrën. Përpos që mbeti e ndarë nga Shqipëria, Kosova e pushtuar nga austro-hungarezët u nda edhe nga zona e pushtuar bullgare. Kjo ndarje territoriale dhe administrative, qe shkaku i disa zënkave serioze politike ndërmjet të Bullgarisë dhe Austro-Hungarisë. Por, duhet pranuar se kushtet e jetesës nën zonat e kontrolluar nga forcat bullgare, ishin më të rënda se në zonën austriake. Kështu, që në këto  rrethana shqiptarët e Kosovës, të cilët fillimisht e kishin mirëpritur ardhjen e trupave bullgare, gradualisht filluan rezistencën kundër tyre.

Një rezistencë më të vogël, pati edhe në zonën austro-hungareze, që drejtohej nga Azem Bejta, i cili bashkëpunonte me serbët vendas. Ai në fillim, të vitit 1918 hyri në bisedime për ndërmarrjen e aksioneve të përbashkëta kundra trupave gjermane dhe austro-hungareze, me udhëheqësin e organizatës kryesore të çetnikëve, Kosta Peçanci. Ndërkohë që në Shqipëri, Esat Pasha vazhdonte të bënte lojën e Serbisë. Në verën e vitit 1918 ishte më se e qartë se forcat austro-hungareze në Ballkan po shpartalloheshin, ndërkohë që nga Selaniku po marshonin forcat serbe, franceze dhe italiane.

Ndërmjet armëpushimit dhe Konferencës së Paqes, ishte krijuar Mbretëria e Serbëve, Kroatëve dhe Sllovenëve, në kuadër të së cilës mbeti gjysma e territoreve dhe e popullsisë shqiptare. Në fakt, në Konferencën e Paqes  në Paris Shqipëria dhe shqiptarët u anashkaluan nga Fuqitë e Mëdha. Për më tepër, shqiptarët nuk ishin pjesë e Konferencës së Paqes. Për Shqipërinë dhe Kosovën, nuk ishte rezervuar asnjë ulëse. Ata ishin të braktisur me plotë kuptimin e fjalës.

Fati i problemit shqiptar, në fund të Luftës së madhe zbulon kontradiktat brenda sistemit shtetëror evropian, çka e bënte të pamundur krijimin e rendit botëror të qëndrueshëm. Në këtë rrethanë, Beogradi përfitoi duke çimentuar sundimin në Kosovë dhe duke bërë agresion të vazhdueshëm ndaj shtetit të pa konsoliduar shqiptar.

Në Kosovë, u rikthye represionit i regjimit serbo-malazez,  që përmes plaçkitjes së pronave, kolonizimit dhe dëbimit masiv synonte sllavizmin e këtij territori kompakt shqiptar. Politika konstante represive serbe ndaj shqiptarëve të Kosovës dhe qëndrimin armiqësor ndaj shqiptarëve në përgjithësi, solli luftën e Kosovës me 1998-1999, e cila kulmoi me krime, vrasje dhe dëbime masive të civilëve shqiptarë. Lufta e Madhe e Ushtrisë Çlirimtare e Kosovës dhe sulmet ajrore 78 ditore të NATO-s, të cilat  i dhanë goditjen vendimtare regjimit të Millosheviqit dhe intencës për zhbërjen etnike të Kosovës, hapi shtegun për bërjen e pavarësisë së Kosovës.  Ata që përjetuan fitoren e madhe kundër agresionit serb, në qershor të vitit 1999, mund të thonë me të vërtetë, atë që poeti gjerman Johan Wolfgang Gëte e kishte vënë re në luftën e Valmit (1792): “Nga ky vend dhe nga kjo kohë fillon një epokë e re në historinë botërore dhe ju të gjithë mund të thoni se ishit të pranishëm në lindjen e saj”.

Tani, njëqind vjet, pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore, shteti i Kosovës paraqitet si një aktor i ri gjeopolitik në Evropën Juglindore, që promovon një diskurs të politikës rajonale, të konceptuar si fqinjësi konstruktive. Në të njëjtën kohë, edhe në procesin e shtet ndërtimit dhe të integrimit evropian të vendit tonë janë pikërisht përcaktuese aleatët dhe kundërshtarët e dikurshëm të Luftës së Parë Botore, të cilët për afro njëzet vjet me radhë, janë të angazhuara në Kosovë edhe përmes trupave të tyre ushtarake paqeruajtëse. Në periudhën e pas Luftës së Dytë Botërore, trupat britanike, franceze dhe amerikane, qëndruan për rreth një gjysmë shekulli në Gjermani dhe, duke pasur parasysh kërcënimin sovjetik.

Tani, trupat e këtyre vendeve dhe aleatëve të tyre, ruajnë paqen në Kosovë dhe në rajon për shkak të kërcënimit të mundshëm nga shteti serb, i cili brenda një dekade të shekullit të kaluar ishte përgjegjës për katër luftëra dhe krime të padëgjuara që nga Lufta e dytë Botërore. Ka të ngjarë që edhe në Ballkan prania ndërkombëtare të zgjasë për një gjysmë shekulli.

Në përvjetorin e 100-të, të armëpushimit të datës 11 nëntor 1918, që i dha fund luftimeve të Luftës së Parë Botërore, Kosova dhe Shqipëria kanë ndryshuar në mënyrë shumë të favorshme pozitën e tyre rajonale dhe ndërkombëtare. Por, në përfundimin e kësaj lufte botërore, nuk është se ka ndryshuar politika serbe ndaj Kosovës dhe shqiptarëve në përgjithësi. Lufta e agresive kundër pavarësisë së saj shpërfaq orientimin serb për krijimin e Serbisë së Madhe. Në fakt, ky synim ishte njëri shkaqet e shpërthimit të Luftës së Parë Botërore, plumbat e pjesëtarit të organizatës terroriste “Dora e Zezë” vranë trashëgimtarin e fronit austro-hungarez, Franz Ferdinand.

Në përvjetorin e 100-të të armëpushimit, të datës 11 nëntor 1918, që i dha fund luftimeve të Luftës së Parë Botërore, Kosova dhe Shqipëria kanë një pozitë shumë të favorshme rajonale dhe ndërkombëtare. Në të njëjtën kohë, politika e jashtme dhe e sigurisë e të dy vendeve tona, operon përmes një politikë konstruktive rajonale dhe një dinamike të re gjeopolitike në një ambient ndërkombëtar dinamik. Në këtë kuadër, edhe Kosova e Serbia, si dy shtete fqinje, po ashtu, kanë çfarë të mësojnë në këtë njëqind vjetor si nga luftërat dhe vuajtjet,  ashtu edhe nga miqësia franko-gjermane, duke stabilizuar marrëdhëniet e tyre ndërshtetërore dhe duke krijuar një paqe të qëndrueshme në rajonale. Ashtu si Clemens von Metternich, që disiplinoi objektivat pa limit të Napoleonit, edhe BE dhe SHBA duhet të frenojë qasjes agresive të Serbisë ndaj rajonit.

Veçanërisht ndaj shtetit të ri të Kosovës, të heq dorë nga pretendimet e saj territoriale. Në fund të fundit, edhe pas katër luftërave dhe shumë vuajtjeve dhe dhimbjeve të shkaktuara, kufijtë mbeten po ata që ishin dikur.  Për më tepër, njëqind vjet pas përfundimit të Luftës së Madhe, është varrosur Jugosllavia e Versajës, ndërsa shteti serb, në vend të Serbisë së Madhe, tani lumturinë e vet duhet ta gjejë brenda kufijve aktual. Për këtë mbase mesazhi më domethënës ishte prania e udhëheqësve ballkanikë, para së gjithash i presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ai  Shqipërisë, Ilir Meta, në ceremoninë qendrore për shënimin e 100 vjetorit të përfundimit të Luftës së Parë Botërore në Paris. Në këtë mënyrë, në Paris Kosova dhe Shqipëria për herë të parë u kthyen aty ku mungonin 100 vjet më parë, tani ato kishin karriget e tyre e tyre, të cilat  dikur ishin të zaptuara nga pushtuesit e tyre.

Duke pasur parasysh pozicionin që kishin para një shekulli shqiptarët, kur Shqipëria ishte e sfilitur nga brenda dhe e pushtuar nga jashtë, ndërsa, Kosova as që ekzistonte në hartën politike evropiane, pjesëmarrja e Kosovës në këtë ceremoni të liderëve të botës është ngjarje madhore për afirmimin e shtetit të Kosovës. Ceremonia e Parisit dhe prania e shqiptarëve aty tregon harmoninë që ekziston brenda sistemit ndërkombëtar dhe mbi të gjitha faktin se Republika e  Kosovës  është bërë aktor me subjektiviteti ndërkombëtar, ndërsa Franca një vend mik që angazhohet në vazhdimësi për forcimin e pozicionit ndërkombëtar të shtetit Kosovës.

 

Temat: