12:25 / E Martë, 14 Maj 2019 / indeksADMonline

Shqiptarët nuk iu besojnë bankave

Shqiptarët vazhdojnë t’i mbajnë paratë “nën dyshek”. Sipas një raporti të fundit të Bankës së Shqipërisë, në lidhje me mënyrat se si shqiptarët mbajnë paratë, rezulton se 15% e tyre nuk zgjedhin bankat për të vendosur kursimet e tyre.

Nga kategoria e personave që i mbajnë paratë jashtë sistemit, 13% i ruajnë kursimet jashtë bankave në ambientet ku banojnë dhe 2% e tyre i kanë dhënë hua duke investuar në formën e fajdeve. Në anketim morën pjesë 1200 familje.

39% e tyre nuk kishin asnjë lloj kursimi ndërsa 40% kanë llogari bankare. Pjesa tjetër i kanë investuar në fondet e pensionit, kompanitë e sigurimit, bonot e thesarit ose i mbajnë në shtëpi.

Por, ndërkohë në një tjetër vrojtim mbi pasurinë e familjeve shqiptare, Banka e Shqipërisë gjeti se, 95% e tyre kanë 1-2 prona, por rreth 43% e tyre deklarojnë se nuk zotërojnë asnjë lloj kursimi apo pasurie financiare, shkruan tch.

Shqipëria është i vetmi vend në rajon që ka më pak besim tek bankat. Kujtojmë këtu se pjesa më e madhe e banorëve të rajonit, rreth 70% e tyre i depozitojnë paratë nëpër banka.