12:53 / E Martë, 29 Tetor 2019

Shqiptarët s’e punojnë më tokën, INSTAT: Fermerët më pak drithëra vitin e kaluar

Shqiptarët nuk e punojmë më tokën. Nëse shohim të dhënat e publikuara nga INSTAT-i për vitin 2018, fermeri ynë ka prodhuar më pak drithëra se në vitin 2017. Po ashtu nëse shikojmë regjistrin statistikor të blegtorisë numri i gjedhëve ka shënuar një rënie me 1.7%.

“Po të shikoni të dhënat e INSTAT-it disa nga produktet bujqësore bazë kanë një rënie nga 2017-2018 e cila varijon nga 10,20 deri në 50%,” tha Ndoc Fasllia.

Sipas ekspertit të bujqësisë Ndoc Fasllia, fermerët kanë braktisur fermat pasi Ministria e Bujqësisë nuk ka krijuar politika mbështetëse për ta.

“Bujqësia fatkeqësisht vazhdon të mbështesë zhvillimin spontan shto këtu dhe mungesën e ndieshme të mbështetjes financiare. Subvencionet nga 20 milionë dollarë janë ulur në 4 milionë dollarë. Në qarqet me bujqësi të zhvilluar me 506  mijë ferma bujqësore po të shikoni skemat e mbështetjes kanë përfituat 10-15 fermerë,” tregon ai.

Teksa prodhimi bujqësor vendës ulet, nga ana tjetër shohim rritje të importeve. Konsumatori në tryezën e tij po e shtron me shumë me ushqime të huaja se ato vendëse.

“Ka një nonsens nga njëra anë popullsia vendëse, e cila ulet nga viti në vit për shkak të emigracionit, numri i konsumatorit vendës bie, nga ana tjetër kemi rritje të importeve”, shprehet ai./tch