17:09 / E Martë, 29 Qershor 2021 / AR

Shqiptarët tregojnë gjërat që do donin të ndaloheshin me ligj në vend

“Po mendoja tani, jo dhe aq rastësisht, që këto konkurset e bukurisë për fëmijët duhet të jenë të jashtëligjshme. Ç’qëllim kanë? Pse duhet të vendosen fëmijët në garë, se kush është më i bukur? E ndërkohë gara është mes prindërve. Imagjinoni sa keq ndihen kur nuk fitojnë dhe se si mund ta përjetojnë”, shkruan Margo, vajza pas Instagramit të Anabel Media.

Njerëzit, duke rënë (thuajse) të gjithë dakord me mendimin e saj, kanë shtuar edhe ca gjëra të tjera, që sipas tyre, po ashtu si konkurset e bukurisë, duhet të ndalohen me ligj. Ja çfarë u tha në inbox-in e Anabel.

Duhet të ndalohen…

#1 – Prindërit që shkojnë me fëmijë në ambiente ku konsumohet duhan.

#2 – Giveaway-t.

#3 – Ka shumë gjëra që duhen ndaluar, por tani më vijnë ndër mend vizitat e njerëzve në maternitet. Unë do doja të ndaloheshin me ligj, nuk ka gjë më të sikletshme dhe të bezdisshme kur sapo ke lindur e të çojnë në një dhomë me 5 të tjera e vijnë nga 5 vizitorë në orë për çdo pacient aty dhe ia nisin muhabetit, ndërkohë në dhomë mund të jenë edhe bebet përveç nënave të reja. Një kaos praktikisht, ti mes dhimbjeve e sikleteve të durosh dhe aq shumë njerëz vërdallë!

#4 – Publikimi i fotove të sapolindurve.

#5 – Mendoj që duhet garantuar me ligj një minimum jetese, që të mos jesh krejt i varfër.

#6 – Ekspozimi i tepërt i fëmijëve në rrjetet sociale më duket TMERR!

#7 – Nuk më duket normale që fëmijët i nxjerrin nudo në publik, çfarëdo moshe të kenë.

#8 – Të miturit që punojnë në punë jashtë kapacitetit fizik të tyre në fshtara. Ka shumë.

#9 – Konkurset e bukurisë në përgjithësi (jo vetëm fëmijët). Pse të garosh me diçka që nuk është produkt i përpjekjes, por i fatit/natyrës? Secila grua është e bukur në llojin e vet. Pse duhet ta përcaktojë një konkurs bukurinë? –  (përgjigje e dhënë disa herë)

#10 – Krijimi i profileve të fëmijëve në rrjete sociale. – (përgjigje e dhënë disa herë)

#11 – Mbajtja e telefonave te fëmijët të ndalohet deri në moshën 15 vjeç.

#12 – Ngrënia e kafshëve pa kufij. Ulja e konsumit për frymë. Do kishte më pak sëmundje nga obeziteti.

#13 – Parada e makinave të maturantëve dhe dasmave. Pa kuptim dhe e rrezikshme!

#14 – Përdorimi i fëmijëve në Instagram për publicitet.

#15 – Njerëz të panjohur që prekin fëmijën në rrugë pa marrë leje.

#16 – Publikimi i fëmijëve duke bërë twerk.

#17 – Kur publikojnë fytyrat e njerëzve në rrjete sociale, pa u marrë leje.

#18 – Të ketë kod veshje dhe uniforma në çdo shkollë. Janë bërë si parada mode dhe fëmijët me më pak të ardhura ndihen inferiorë.

#19 – Kur u vendosin kafshëve emra njerëzish.

#20 – Photoshop-i.

#21 – Njerëzit që pështyjnë rrugëve. – (përgjigje e dhënë disa herë)

#22 – Prezenca e kamerës (duke kërkuar intervistë) tek familjet që sapo kanë humbur familjarët. 

#23 – Fletat e lavdërimit për vetëm 1 ose 2 nxënës në shkolla.

#24 – Celularët në shkollë.

#25 – Gjatësia e thonjve. Kur i bëjnë të ketë një limit për arsye higjiene.

#26 – Këta që mbledhin para për të ndihmuar, duke bërë show me qindra video e foto.

#27 – Puthja e fëmijëve në buzë nga prindërit ose të afërm të tjerë.

#28 – Firmat fallso që shiten në Shqipëri.

#29 – Vlerësimi i notave me “shumë mirë”, “shumë keq”.

#30 – Filtrat e Instagramit. Po i fusin njerëzit në depresion.

#31 – FaceApp – shkakton ankth dhe ulje vetëbesimi. Po përhapet frikshëm.

#32 – Makinat e vjetra që ndotin ambientin. Na mbytën.

#33 – Ngushëllimet derë më derë. Një organizim më i mirë i ceremonive mortore.

#34 – Mbipopullimi i autobusëve. Arsyet shumë të thjeshta: Evitohet kontakti trup më trup dhe për pasojë evitohen maniakët; mosplotësimi i kushteve minimale si për shembull ajri i kondicinuar. – (përgjigje e dhënë disa herë) 

#35 – Këmbësorët që kalojnë rrugën jo në viza të bardha dhe me semafor të kuq – (përgjigje e dhënë disa herë)

#36 – Të ketë ligj me gjoba për ata qe hedhin plehra në rrugë, qoftë edhe një letër.

#37 – Programet me fëmijë që këndojnë dhe aktrojnë pjesë të rriturish.

#38 – Catcalling* – Akti i bërtitjes/ngritjes së zërit me komente ngacmuese, zakonisht seksuale, kërcënuese dhe përçmuese ndaj dikujt në rrugë.

#39 – Të bësh këngë, kur s’di të këndosh.

#40 – Publikimi i të dhënave të viktimave nëpër lajme. Duhet të publikohen veç abuzuesit. (Publikimi i të dhënave private të viktimave ndalohet me ligj nga Autoriteti i Mediave AudioVizive, ndonëse nuk respektohet gjerësisht.)

#41 – Videot nga timoni i makinës.

#42 – Të pyesësh fëmijën kë do më shumë: Mamin apo babin. I vendosin në presion.

#43 –  Publikimi i fotove të fëmijëve nga politikanët./AnabelMagazine/