10:06 / E Premte, 08 Shtator 2023 / L K

Shqiptari hero, sulmon pasagjerin në avion që thirri “Allahu Akbar” dhe deshi të hapte derën emergjente

Gazeta britanike “The Sun” ka raportuar për një incident që ka ndodhur të hënën e kësaj jave në mes të një fluturimi nga Izraeli për në Angli.

Media angleze shkruan se “një burrë i çmendur që bërtiste ‘Allahu Akbar’ u përpoq të hapte një derë në mes të një fluturimi nga Izraeli në Angli të hënën – përpara se një pasagjer i guximshëm të ngrihej dhe ta godiste”.

Por, “heroi” i kësaj ngjarjeje ishte hiç më pak se një shqiptar, me emrin Victor Troboloni.

“The Sun” shkruan se Troboloni, i cili ishte duke shkuar për të vizituar nënën e tij të sëmurë në Londër, kapi sulmuesin e egërsuar dhe të paidentifikuar dhe e mbajti atë me pasagjerë të tjerë, ndërsa anëtarët e ekuipazhit e lidhën me zinxhir.

“Ishte një situatë shumë e frikshme”, i tha Troboloni gazetës “Sun”, përpara se të shtonte se po mendonte, “mund të mos e shoh më kurrë nënën time”.

Fluturimi W9 4452 i linjës ajrore Wizz Air u detyrua të ulej në Beograd, Serbi, pas incidentit, sipas stacionit izraelit të lajmeve i24 News.

“Kompania po merret me dërgimin e të gjithë klientëve në Londër”, tha Wizz Air.

“Kompania shpreh keqardhje për shqetësimin e shkaktuar nga ky incident i papritur”.

Pas rrezikimit të sigurisë, një bashkëudhëtar e sulmoi të dyshuarin dhe e bllokoi atë, sipas pamjeve të siguruara nga “Sun”.

Në klip, sulmuesi i paidentifikuar u pa duke bërtitur ndërsa Troboloni, 45 vjeç, e rrëzon atë përtokë.

“Ai u përpoq të hapte derën e emergjencës, ai ishte ulur në pjesën e pasme dhe është e lehtë të hapësh atë derë, vetëm tërhiqe dorezën dhe kaq”, tha Troboloni për median.

“E rrëzova tipin. Ai ishte shumë i rëndë… E bllokova dhe stjuardesat ia lidhën duart me lidhëse plastike… Më duhej ta bëja”.

Bashkëpasagjerët e ndihmuan Trobolonin ta mbante atë derisa një stjuardesë të gjente kabllo për ta neutralizuar derisa avioni të aterronte në Evropën Lindore.

“E mbajta për 10 minuta, mbeti pa frymë, u lodh, mbeti i lidhur për 45 minuta deri në 1 orë para se të zbrisnim në Beograd”, thuhet se tha Troboloni.

I dyshuari bërtiti “Allahu Akbar”, arabisht për “Zoti është më i madhi”, gjatë këtij incidenti, tha pasagjeri heroik për tabloidin në Mbretërinë e Bashkuar. Zyrtarët nuk mund të ofrojnë një motiv për sulmin ose të thonë nëse i dyshuari ishte i lidhur me ndonjë grup terrorist.

Para se të godiste një anëtar të ekuipazhit, i dyshuari u pa duke ecur përpara dhe mbrapa nga kabina e pilotit në daljen e pasme të urgjencës.

“E pashë atë duke lëvizur poshtë e lartë, ndoshta duke kërkuar për pika të dobëta në avion … duke kontrolluar numrat e ulëseve”, thuhet të ketë thënë inxhinieri i avionit.

“Ishte një situatë shumë e frikshme”.

Video/Kliko këtu