75 Mall Live Search
16:45 / E Premte, 23 Janar 2026 / MSH1

Shqiptari i zhdukur në Jezercë, gjendet në Budakovë të Suharekës

Më 21 janar, rreth orës 05:00, policia e Ferizajt ka pranuar një informacion për zhdukjen e 30-vjeçarit Skerdilajd Pjetri, shtetas i Republikës së Shqipërisë, i cili ishte larguar nga një vilë në fshatin Jezercë dhe për të cilin nuk dihej vendndodhja e tij.

Sipas informatave fillestare, rreth orës 05:00, Pjetri kishte marrë një veturë BMW me targa shqiptare dhe ishte nisur në drejtim të Ferizajt, ku dyshohej se kishte shkaktuar një aksident trafiku në Jezercë.

Menjëherë pas pranimit të informatës, hetuesit rajonalë, në bashkëpunim me Njësinë e Trafikut Rajonal, janë angazhuar në mbledhjen e informatave dhe ndërmarrjen e veprimeve hetimore. Në bashkëpunim me Forenzikën Rajonale, janë kontrolluar kamerat e sigurisë në zonën përreth.

Po ashtu, janë kryer verifikime në Qendrën Emergjente në Ferizaj, në QKUK – Prishtinë, si dhe në disa ordinanca private, mirëpo nuk ishte raportuar asnjë person i lënduar. Paralelisht, janë zhvilluar kërkime intensive në terren.

Lidhur me rastin, janë njoftuar dhe angazhuar edhe Shoqata e Kërkim-Shpëtimit të Kosovës, Njësia K-9 e Policisë së Kosovës, si dhe Brigada e Zjarrëfikësve, të cilat janë vënë në kërkim të personit të zhdukur.

Sot rreth orës 15:30, një qytetar ka kontaktuar Qendrën e Komunikimit Rajonal në Ferizaj, duke njoftuar se kishte hasur një person në fshatin Budakovë të Suharekës, në afërsi të vendit të quajtur “Gurra e Kadisë”.

Pas verifikimeve, është konstatuar se bëhej fjalë për personin,Skejdilardin, i cili ishte në kërkim ,dhe menjëherë është transportuar në Qendrën Emergjente në Ferizaj për trajtim dhe ndihmë mjekësore.

Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj, ka falënderuar Shoqatën e Kërkim-Shpëtimit të Kosovës, Njësinë K-9, pjesëtarët e policisë të rajonit të Ferizajt dhe qytetarët të angazhuar në këtë rast dhe në veçanti qytetarin B.Osmani., 54 vjeç, nga Ferizaj, për bashkëpunimin dhe kontributin e jashtëzakonshëm të dhënë në gjetjen e personit të zhdukur.