75 Mall Live Search
14:54 / E Shtunë, 27 Qershor 2026 / A

Shqiptari po lufton me jetën, theu shtyllën kurrizore gjatë pushimeve në Spanjë

Shqiptari nga Britania e Madhe, Ardi Balliu, 27 vjeç, po lufton për jetën pas një aksidenti tragjik gjatë pushimeve në një plazh të njohur në Marbella të Spanjës, ku pësoi thyerje të shtyllës kurrizore, raporton The Mirror.

Sipas këtij mediumi, Balliu nuk do të mund të ecë më kurrë pasi dëmtoi rëndë shtyllën kurrizore kur u hodh me kokë në det gjatë pushimeve dhe nuk doli më në sipërfaqe.

Ardi Balliu

Balliu, nga Northamptoni i Anglisë, kishte vetëm pak ditë që kishte mbërritur për pushime në Marbella, në bregdetin Costa del Sol të Spanjës, kur ai dhe një mik vendosën të vizitonin gjirin e njohur Calo des Moro, një vend shumë i frekuentuar nga turistët.

Por, pasi Ardi u hodh me kokë në ujë, shoku i tij u alarmua kur 27-vjeçari nuk u rikthye në sipërfaqe. Duke bërtitur për ndihmë, ai kërkoi ndihmën e njerëzve që ndodheshin pranë. Notarët e tjerë arritën ta nxirrnin nga uji dhe ta sillnin në breg.

Sapo u nxor në plazh, Ardi u tha personave që e ndihmuan se nuk i ndiente këmbët. Më pas ai u transportua me helikopter ambulancë drejt spitalit.

Tashmë punëtori i ndërtimit po lufton për jetën, ndërsa familja e tij po mbledh para për ta kthyer në Britani, ku deri më tani janë grumbulluar mbi 34 mijë paund.