75 Mall Live Search
10:02 / E Mërkurë, 22 Korrik 2020 / indeksADMonline

Shqyrtohet Projektligji i buxhetit në komision, a do të votojë PDK-ja pro në lexim të dytë?

Komisioni për buxhet dhe transfere po e mban mbledhjes e radhës në të cilën po shqyrtohet Projektligji për shqyrtimin e ndarjeve buxhetore për buxhetin e vitit 2020, shkruan IndeksOnline.

Këtë e ka konfirmuar për IndeksOnlinen, kryetari i këtij komisioni, Hekuran Murati.  “Dje e sot jemi duke i shqyrtuar kërkesat dhe amendamentet”, ka thënë shkurt Murati.

E, nga kjo mbledhje varet se a do të hyjë nesër në rend dite pika për shqyrtimin e buxhetit në lexim të dytë.

Po ashtu, nga votimi përfundimtar i këtij projektligji varen edhe pagesat ndaj qytetarëve nga Paketa fiskale emergjente.

Ky projektligj ka kaluar në lexim të parë në Kuvendin e Kosovës më 13 korrik me 67 vota për dhe një abstenim.

Nga partitë opozitare ishte Partia Demokratike e Kosovës që votoi pro  në parim Projektligjin për ndryshimin e ndarjeve buxhetore për buxhetin e vitit 2020.

IndeksOnline ka kontaktuar me shefin e Grupit parlamentar të PDK-së, Bedri Hamza, i cili tha se pas punës së përfunduar në Komisionin e buxhetit dhe transfereve merret vendim se a do të votojë pro apo kundër në lexim të dytë.

“Tani jemi duke punuar në komision, jemi në fillim për votim, qëndrimin e marrim pasi të përundojmë punën”, tha ai.

Ndryshe, nesër Kuvendi i Kosovës do të mbaj dy seanca, duke filluar nga ora 10:30. ./IndeksOnline/