SHSKUK sqaron situatën me mungesën e sigurimit në QKUK

Sherbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës (SHSKUK) ka dhënë sqarime pas protestës së punëtorëve të sigurimit fizik, të cilëve i është shkëputur kontrata.
Në sqarimin e SHSKUK-së thuhet se pas vendimit të OSHP-së ata janë obliguar që ta shkëpusin kontatën e negociuar, lidhur para më shumë se dy muaj për sigurimin fizik të objekteve.
“Qendra Klinik dhe Universitare e Kosovës (QKUK), në lidhje me sigurimin fizik të objekteve, sqaron se me datë 22 Maj 2025, ka pranuar një Vendim nga Organi Shqyrtues i Prokurimit Publik, përmes së cilit obligohet që të shkëpusë kontratën e negociuar, lidhur para më shumë se dy muaj për sigurimin fizik të objekteve. Ashtu siç ka obliguar OSHP, QKUK me datën 21 qershor 2025, ka shkëputur kontratën për sigurim fizik të objekteve”, thuhet në reagimin e SHSKUK-së.
Ndërsa sa i përket çështjes së punëtorëve, në reagimin e SHSKUK-së thuhet se secila kompani që zgjedhet, apo kontraktohet nga QKUK, për sigurim fizik, e ka obligim të marrë në punë punëtorët aktual, asnjëri nga ta nuk do të mbetet pa punë.
“Lënda është në Gjykatën Komerciale, por edhe pse kanë kaluar disa javë, nuk ka ndonjë vendim lidhur me të. QKUK, ka ndërmarrë hapa të menjëhershëm për të lidhur një kontratë të re. Krahas kësaj, menaxhmenti i QKUK-së, ka zhvilluar takime me Policinë e Kosovës, që në kuadër të kontratës për punë dytësore, të bëjë sigurimin në 10 deri në 12 pikat kryesore, deri në zgjidhjen e kontratës së re të negociuar për sigurim fizik”, thuhet në sqarimin e SHSKUK-së..