75 Mall Live Search
14:54 / E Martë, 05 Mars 2024 / S Z

SHSKUK: Të pavërteta informatat për infektim të stafit të Urologjisë me tuberkuloz

Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK), përkatësisht Klinika e Urologjisë, sqaron se informatat që po qarkullojnë në medie në lidhje me “ infektimin e stafit me Tuberkuloz”, janë të pavërteta.

“Për hirë të korrektësisë dhe informimit të drejtë të publikut, Klinika e Urologjisë, sqaron se asnjë nga infermierët e Klinikës së Urologjisë, nuk është i vërtetuar si infektuar me Tuberkuloz bartës. Në Klinikën e Pulmologjisë, është e shtrirë dhe e verifikuar vetëm një infermiere me TBC të pleurës, që nuk është bartës tek të tjerët. Po ashtu sqarojmë se punëtorët e Klinikës së Urologjisë nuk punojnë me pacientë që janë të infektuar me tuberkuloz”, thuhet në një komunikatë për media.

Në njoftim po ashtu thuhet se Klinika e Urologjisë, bashkë me atë të Pulmologjisë, Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike dhe koordinatoren nacionale kundër TBC, në nivel të Ministrisë së Shëndetësisë, ka bërë testimin e mbi 80% stafit të Klinikës së Urologjisë dhe ende nuk ka të vërtetuar ndonjë rast me TBC, që bartet tek stafi dhe pacientët.

“Andaj, klinika kërkon nga mediet që të jenë të kujdesshme gjatë raportimit të tyre, duke mos shpërndarë informata që janë të pasakta, pa i verifikuar paraprakisht ato, ngase krijohet panik tek pacientët”, thuhet në reagim.