Shtatë raste të dhunës në familje brenda 24 orëve

Raporti 24-orësh i Policisë së Kosovës ka evidentuar një numër shqetësues rastesh të dhunës në familje në disa qytete të vendit.
Sipas njoftimit, gjatë datës 23 qershor janë raportuar të paktën shtatë raste të tilla, shumica përfshijnë sulme fizike ndaj grave.
Në disa raste të dyshuarit janë dërguar në mbajtje, ndërsa në të tjerë janë liruar në procedurë të rregullt.
Tre raste brenda një dite në Prishtinë
Në Prishtinë janë raportuar tri raste të dhunës në familje brenda të njëjtës ditë.
Më 23 qershor, rreth orës 12:00, një mashkull kosovar është arrestuar nën dyshimin se ka ushtruar dhunë fizike ndaj një gruaje.
Viktima ka marrë trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari është dërguar në mbajtje me vendim të prokurorit.
Po të njëjtën ditë, në ora 16:30, një tjetër rast u raportua ku një mashkull kishte sulmuar fizikisht një anëtar tjetër mashkull të familjes pas një mosmarrëveshjeje. Viktima u dërgua në QKUK për tretman mjekësor. Rasti është në hetim.
Rasti i tretë ndodhi në ora 17:30, ku një tjetër mashkull u arrestua për dhunë ndaj një femre.
Viktimës iu ofrua ndihma mjekësore, ndërsa i dyshuari pas intervistimit u dërgua në mbajtje.
Gjakovë: Dhunë ndaj një gruaje – i dyshuari lirohet
Në Gjakovë, më 22 qershor në ora 23:00, një burrë u arrestua pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj një gruaje. Pas konsultimit me prokurorin, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.
Vushtrri: I dyshuari dërgohet në mbajtje
Në Vushtrri, më 23 qershor në orën 11:00, një tjetër rast dhune ndaj një gruaje rezultoi me arrestimin e njëburri. Viktima mori trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari u dërgua në mbajtje me urdhër të prokurorit.
Pejë: Dy të dyshuar, një viktimë
Në Pejë, dy burra janë arrestuar pasi dyshohet se kanë ushtruar dhunë ndaj një gruaje më 23 qershor në ora 12:00.
Pas intervistimit, prokurori ka vendosur që ata të lirohen në procedurë të rregullt.
Gjilan: Dhunë pas mosmarrëveshjes
Në Gjilan, më 23 qershor në ora 18:00, një mashkull është arrestuar pasi pas një mosmarrëveshjeje dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj një gruaje.
I dyshuari është dërguar në mbajtje me vendim të prokurorit.