75 Mall Live Search
10:35 / E Enjte, 08 Maj 2025 / k.v

Shtatë zyrtarë nën akuzë për keqpërdorim pozite – dëmi qindra mijëra euro nga ndërtimi i një shkolle në Suharekë

Prokuroria Themelore në Prizren, përmes Departamentit të Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër shtatë personave për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar gjatë ndërtimit të shkollës fillore “Vaso Pashë Shkodrani” në fshatin Tërnje të Suharekës.

Të akuzuarit B.K., A.R., V.K., Z.T., A.E., H.B. dhe A.T., sipas prokurorisë, në periudhën kohore prej 12 tetorit 2018 deri në dhjetor të vitit 2019, duke ushtruar funksione zyrtare si menaxher projekti, mbikëqyrës komunalë dhe anëtarë të komisionit të kontrollit të punimeve, nuk i kanë përmbushur detyrat ligjore, duke i mundësuar përfitime të paligjshme një operatori ekonomik.

Projekti i ndërtimit kishte vlerë rreth 294 mijë euro, por sipas aktakuzës, punimet nuk janë realizuar sipas kontratës. Një nga devijimet kryesore ishte zëvendësimi i një podrumi prej 175 m² me vetëm 16 m² aneks, ndërkohë që janë bërë pagesa për punë të pakryera dhe është lidhur kontratë shtesë me të njëjtin operator për 29,202.60 euro, duke i shkaktuar dëm të konsiderueshëm buxhetit të Komunës së Suharekës.

Prokurori i çështjes ka kërkuar nga gjykata që, pas shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, të gjithë të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.

Ky rast është një tjetër shembull që ngre shqetësimin për menaxhimin e fondeve publike dhe nevojën për mbikëqyrje më të rreptë të projekteve të ndërtimit në komunat e vendit./IndeksOnline/