Shtatzënia e parë me IVF në QKUK, flet drejtori i Gjinekologjisë
Për herë të parë në sistemin publik shëndetësor në QKUK është konfirmuar një shtatzëni pas procedurave të Fertilizimit të Asistuar Mjekësor (IVF).
Lidhur më këtë për Indeksonline ka folur drejtori i Klinikës së Gjinekologjisë në QKUK, Zef Ndrejaj.
Ndrejaj ka bërë të ditur se ky është një sukses i rëndësishëm për sistemin publik shëndetësor, pasi bëhet fjalë për shtatzëninë e parë të arritur me fertilizim in vitro (IVF) në një institucion publik në vend.
Sipas tij, nëna tek e cila sot është konfirmuar shtatzania është e lindur në vitin 1995 dhe ka pasur rreth pesë vjet përballje me infertilitet para se të arrinte këtë shtatzëni.
Ndrejaj ka falenderuar për angazhimin Ministrinë e Shendetësisë, QKUk dhe kolegët e klinikës së gjinekologjisë per angazhimin e tyre, në arritjen e këtij suksesi.
Theksojmë se ky zhvillim konsiderohet një hap i madh për shërbimet e fertilitetit në sektorin publik, duke u dhënë shpresë shumë çifteve që përballen me probleme të infertilitetit./Indeksonline/

