Shtëpia e Bardhë thotë se shkurtimet e punonjësve janë të pashmangshme

Shtëpia e Bardhë thotë se shkurtimet masive të punonjësve federalë në SHBA janë “të pashmangshme” dhe mund të rezultojnë në humbjen e përhershme të vendeve të punës nga njerëzit brenda pak ditësh, ndërsa mbyllja e qeverisë vazhdon për të dytën ditë me radhë.
Ligjvënësit po shkëmbejnë faje për mbylljen, e para pas gati shtatë vjetësh, sipas së cilës mijëra punëtorë janë vënë në pushim të papaguar.
Presidenti Donald Trump u ka bërë thirrje aleatëve republikanë ta përdorin atë si një “mundësi” për të bërë shkurtime më të qëndrueshme, shkruan BBC-i.
Mbyllja e qeverisë filloi të mërkurën, pasi republikanët dhe demokratët në Kongres nuk arritën të bien dakord për një plan të ri shpenzimesh.
Ka pak shenja se ndonjëra palë do të bëjë kompromis dhe votimi i radhës për t’i dhënë fund situatës nuk do të mbahet deri të premten.
Senati është pezulluar aktualisht, duke ngritur frikën se situata mund të zvarritet dhe të kërcënojë qindra mijëra vende pune, si dhe të rrezikojë t’i kushtojë ekonomisë amerikane miliarda dollarë në humbje prodhimi.
Në një konferencë për shtyp në Shtëpinë e Bardhë të mërkurën pasdite, zëvendëspresidenti JD Vance bëri një paraqitje të rrallë së bashku me sekretaren e Shtypit, Karoline Leavitt, dhe akuzoi demokratët e opozitës se po luajnë lojëra politike.
“Nëse janë kaq të shqetësuar për efektin që kjo po ka te populli amerikan, dhe duhet të jenë, ajo që duhet të bëjnë është të rihapin qeverinë, jo të ankohen për mënyrën se si reagojmë”, tha ai.
Ndërkohë, Leavitt tregoi se shkurtimet masive të vendeve të punës mund të ndodhin para fundit të javës. E pyetur nga gazetarët në lidhje me afatet kohore, ajo tha “dy ditë, së shpejti, shumë shpejt” dhe premtoi përditësime të mëtejshme.
“Ndonjëherë duhet të bësh gjëra që nuk do t’i bësh”, shpjegoi Leavitt, duke shtuar se “demokratët na kanë vënë në këtë pozicion”.
Trump më parë paralajmëroi se një mbyllje e zgjatur e qeverisë mund t’i jepte mundësinë për të bërë shkurtime të pakthyeshme në “gjërat e demokratëve”.