23:48 / E Diele, 04 Shkurt 2018 / indeksADMonline

Shtëpia ku u kurdis vrasja e Kasmit, më shumë armë se një depo armatimi

Shtëpia përdhese në Kodër Mëzes, ku Policia zbuloi të premten jo vetëm provat e një vrasjeje mafioze që tronditi Tiranën, por edhe shumë armë të tjera, municion, tritol e C4, që mund t’i gjesh vetëm në ndonjë depo armatimi.

Një shtëpi e zakonshme në pamje të parë, ashtu si shumë e shumë të tjera në fshat, por e veçantë për nga infrastruktura e përdorur për “sigurinë”. Bëhet fjalë për shtëpinë e Aurel Hoxhallarit, i shpallur në kërkim nga Policia e Tiranës, si organizator i grupit të strukturuar kriminal, që ekzekutoi të hënën Devi Kasmin, afër Pediatrisë. Në fakt, shtëpia është e regjistruar në emrin e nënës së tij, Kimetes, edhe pse ajo vetë mund të mos ketë jetuar qoftë edhe një ditë të vetme aty.

Edhe dy ditë pas “bastisjes” që i bëri Policia, gjatë operacionit “Enigma”, shtëpia vijon të mbahet e rrethuar me shiritin e verdhë “skenë krimi”. Efektivë policie qëndrojnë te porta, e të tjerë futen e dalin me makina në oborr. Nga larg shquhen me lehtësi 6 kamera sigurie të vendosura në shtylla të larta, të kthyera në të gjitha këndet e mundshme, në mënyrë që të filmojnë çdo lëvizje të dyshimtë.

E ndërsa pronarët janë kujdesur edhe për ndriçimin gjatë natës. Disa prozhektorë të mëdhenj, të ngjashëm me ato të stadiumeve, janë instaluar rreth saj, që vështirë se dikush mund të kalonte aty pa u diktuar. E me gjithë këto “elementë” sigurie, askush nuk e kishte menduar që aty mbaheshin aq shumë armë, drogë e maska e aq më pak që në atë shtëpi, të paktën prej disa javësh po “gatuhej” plani i një vrasjeje.

BANORET

Disa banorë të fshatin Kodër Mëzes, ku ndodhet banesa e Aurel Hoxhallarit, tregojnë se nuk kanë vënë re asgjë të pazakontë. Madje disa prej tyre, gra dhe djem të rinj, thonë se kanë punuar aty. Rreth e rrotull shtëpisë ka një sipërfaqe prej disa hektarësh, ku kryesisht ka ullinj. Dhe pronarët punësonin herë pas here banorë të fshatit për të punuar tek ullinjtë.

Ata thonë se nuk i njohin pronarët. Thjesht i kanë parë si fytyra, por asnjëherë nuk kanë folur me të njëjtin person, kur u kanë ofruar punë aty. Një i ri, që banon fare pranë shtëpisë së Hoxhallarit, thotë se ka punuar edhe vitin e kaluar aty, në këmbim të 500 apo një mijë lekëve të rinj. Por nuk ka dyshuar për asnjë moment se në atë shtëpi mund të mbaheshin armë, drogë, apo se banonin persona të rrezikshëm.

PROVAT

Gjatë operacioni “Enigma”, forca të shumta të Policisë së Tiranës kanë ushtruar kontrolle në disa banesa të autorëve të dyshuar, si dhe në shtëpinë që ndodhet në periferi të Tiranës, në fshatin Kodër Mëzes, në pronësi të organizatorit të këtij grupi. Policia tha se shtëpia shërbente si bazë e grupit. Policia zbuloi aty një arsenal armësh, municionesh, eksplozivash, raketa hedhës, armë të precizionit të lartë, minë me telekomandë, dylbi, radio ndërlidhje (si ato të policisë), të cilat funksiononin në grup, maska, veshje kamuflazhi, etj.

Mësohet se janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale automjeti, i cili dyshohet se është përdorur në kryerjen e vrasjes. Gjithashtu edhe 2 pistoleta, njëra prej tyre e dyshuar si arma e krimit, 4 armë automatike, 2 snajper, 4 pushkë automatike, 1 armë antitank me 2 predha, 1 bombë me telekomandim në distancë, sasi e konsiderueshme lënde eksplozive C4 dhe tritol, 4 radio marrëse, një dron, 2 maska dhe 110 kilogramë lëndë narkotike kanabis sativa. Gjithashtu janë gjetur edhe rrobat që kishte veshur shtetasi grek, natën kur dyshohet se ekzekutoi Devi Kasmin./Panorama

Temat: