Shtëpitë e shqiptarëve në veri të Mitrovicës shndërrohen në deponi mbeturinash nga serbët
Shumë prona dhe shtëpi të shqiptarëve në veri të Mitrovicës të cilat janë shkatërruar në luftën e fundit nga forcat serbe, përveç që nuk janë rindërtuar dhe nuk po mund të shfrytëzohen për banim nga pronarët shqiptarë, disa prej këtyre pronave janë shndërruar në deponi mbeturinash nga serbët në atë pjesë.
Edhe në të kaluarën është bërë rindërtimi shtëpive në veri të Kosovës, por fatkeqësisht ende një numër i madh i shtëpive të djegura gjatë luftës nuk janë rindërtuar. Ato familje vazhdojnë të jetojnë në kushte të vështira, shumë prej tyre në asistencë sociale, e shumë prej tyre edhe me qira.
Qeveria e Kosovës në një prej mbledhjeve të fundit ka bërë një ndryshim plotësim të Udhëzimit Administrativ për rindërtimin e shtëpive në pjesën veriore që konsiderohen se janë edhe rreth 300 shtëpi të pa rindërtuara.
Naser Spehiu nga lagjja Kroi i Vitakut, i cili aktualisht është i strehuar përkohësisht nga komuna e Mitrovicës së jugut, nga pas lufta deri në vitin 2015 ka paguar qira për banim.
Spahiu rrëfen për KosovaPress se as kushtet minimale nuk i ka për jetesë në vendin ku banon në pesë vjetët e fundit si i strehuar.
Meqë nuk ka kushte materiale, ai mezi pret që Qeveria t’ia rindërtojë shtëpinë në vendlindjen e tij dhe të kthehet me dhjetë anëtarë të familjes në pronën e vet, e cila i është bërë një deponi mbeturinash nga serbët në veri.
Edhe Nadire Kralanit nga Kodra e Minatorëve, e cila banon me qira në jug të Mitrovicës nuk i është rindërtuar ende shtëpia që i është djegur dhe shkatërruar nga forcat serbe gjatë luftës.
Ajo thotë se me dëshirë do të ishte kthyer në pronën e vet, por nuk pati fatin që t’i rindërtohet shtëpia deri tash.
Kralani kërkon ndihmën e Qeverisë që t’ia rindërtojë shtëpinë, ngaqë e ka të pa mundur të banojë me qira në jug të Mitrovicës.
Ndërsa, Sinan Behrami nënkryetar i lagjes së Kroi Vitakut, të cilit i është rindërtuar shtëpia më parë nga Qeveria, beson se të gjithë shqiptarët do të ktheheshin në pronat e tyre, po që se bëhet rindërtimi i shtëpive të tyre.

Behrami thotë në lagjen ku jeton ai janë edhe 70 shtëpi që nuk janë rindërtuar.
Ndërsa, në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës të mbajtur më 19 korrik, me propozimin e Ministrisë së Financave është miratuar vendimi për plotësimin dhe ndryshimin e Udhëzimit Administrativ për prokurimet e centralizuara që udhëhiqen nga Agjencia Qendrore e Prokurimit. Qëllimi i ndryshimeve është menaxhimi i kërkesave nga Agjencia Qendrore e Prokurimit për sigurimin e mallrave, shërbimeve ose punëve që kanë përdorim të përbashkët të institucioneve të Republikës së Kosovës. Në veçanti, vendimi i miratuar do t’i mundësojë Agjencisë së Prokurimit Qendror që të zbatojë të gjitha procedurat në projektin e rindërtimit të shtëpive të djegura në Mitrovicën e Veriut.
Ministri në detyrë i Financave, Bedri Hamza beson që projekti për rindërtimin e shtëpive në veri të Mitrovicës është i rëndësishëm dhe i veçantë edhe në aspektin humanitar, në aspektin social dhe ekonomik, por edhe në aspektin shtetëror, mbase sipas tij, njerëzit kanë të drejtë me jetuar në pronat e tyre.
Hamza për KosovaPress thotë se kostoja e projektit do të ndahet nëpër vite buxhetore dhe nuk do të jetë diçka e pa përballueshme për buxhetin e Kosovës. Për këtë vit, sipas tij, mjetet janë brenda Ministrisë së Financave dhe beson se edhe në proceset e ardhshme buxhetore do të ketë kujdes në këtë projekt.
Hamza po ashtu thotë se nuk do të jetë problem aspekti i financimit, edhe pse projekti është miliona euro.
Ai po ashtu pret që në bazë të proceduarve të cilat do të aplikohen nga Agjencioni Qendror i Prokurimit, projekti për rindërtim të fillojë në tetor të këtij viti.
Ai në fund tha nuk është ky projekt në përpjekje të një komuniteti e në dëmtim të komunitetit tjetër, por çdo shtëpie e djegur gjatë luftës në pjesën veriore të Kosovës do të ketë financim.
Ndryshe, në pjesën veriore nga autoritetet e Serbisë është duke u realizuar projekti ilegal “Lugina e Diellit”, që vlen vetëm për serbët në atë pjesë.