22:54 / E Martë, 01 Gusht 2023 / MSH

Shtete të ndryshme të botës pjesëmarrëse në Festivalin Ndërkombëtar të Valleve dhe Riteve Folklorike

Ansamblet dhe grupet folklorike kanë marrë pjesë në edicionin e dytë të festivalit ndërkombëtar “N’Karadak krisin tupanat” në Viti, ku fillimisht është mbajtur tryeza e rrumbullakët “Iniciativat e festivaleve folklorike në Kosovë, nën logon e CIOFF-it”.  Pjesëmarrës ishin ansamble dhe grupe folklorike nga shtetet e ndryshme që morën pjesë në këtë festival si: Panamaja, Republika Çeke, Qipro Veriore, Maqedonia e Veriut,  Meksika, Kosova por edhe ansamble të tjera dhe personalitete të njohura nga fushat e artit dhe të kulturës.

Përndryshe ky festival u organizua nga SKKOFF “Kosova” ( Seksioni Kombëtar i Kosovës për Organizimin e Festivaleve Folklorike dhe Artit Tradicional” në partneritet të ngushtë me organizatën CIOFF (Këshilli Ndërkombëtar i Organizatave të Festivaleve Folklorike dhe Arteve Popullore) që është një organizatë ndërkombëtare joqeveritare në partneritet zyrtar me UNESCO-në, ndërkaq anëtare është edhe Kosova, saktësisht Ansambli i Këngëve dhe Valleve “Kemajl Azizi” nga Vitia.

Kultura dhe tradita e shume shteteve u prezantua me këngë dhe valle të larmishëm të cilat i dhanë një fryme dhe emocione të veçanta për gjithë të pranishmit që ishin gjate eventeve që zgjatën disa ditë.

U prezantuan edhe dy veglat muzikore shqiptare si Çiftelia dhe Okarina, ku u bë edhe nga një demonstrim me këto vegla muzikore.

Për komoditetin e pjesëmarrësve nga shtetet e ndryshme te botës, është zgjedhur të qëndrojnë në Hotelet e Banjës së Kllokotit.