13:50 / E Diele, 16 Shkurt 2020 / indeksADMonline

Shtetet e Bashkuara rrisin tarifën e importit për avionët nga Bashkimi Evropian

Administrata e presidentit Donald Trump ka njoftuar se, në muajin mars do të rritet tarifa e importeve nga 10 në 15 për qind për avionët nga Bashkimi Evropian.

Ata kanë vënë kryesisht në shënjestër kompaninë evropiane të prodhimit të avionëve Airbus.

Tarifa prej 10 për qind ka rihyrë në muajin tetor 2019, pasi Organizata Botërore e Tregtisë (OBT) dha vendimin se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë të drejtën ligjore që të vendosë tarifa me një shumë prej 6.9 miliardë eurosh.

Sipas OBT-së, kjo ndodhi pasi BE-ja u kap teksa subvenciononte në mënyrë të fshehtë kompaninë Airbus.

Që nga vendimi i tetorit, SHBA-ja është përplasur me BE-në edhe me një tarifë tjetër prej 25 për qind për produkte si vera, djathi, kafja dhe ullinjtë.