75 Mall Live Search
12:04 / E Enjte, 04 Mars 2021 / OSH

Shtetet me më shumë njerëz me mbipeshë kanë më shumë viktima të Covid-19

Shtetet me përqindje më të madhe të popullsisë me mbipeshë, si Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe, kanë gjithashtu shkallën më të lartë të vdekjeve nga Covidi-19, sipas një raporti, duke nxitur thirrje për qeveritë që ta luftojnë mbipeshën dhe t’u japin përparësi për vaksinim personave me mbipeshë.

Rreth 2.2 milionë nga 2.5 milionë vdekjet nga Covidi-19 janë regjistruar në shtetet me përqindje të lartë të personave me mbipeshë, thuhet në raportin e Federatës Botërore të Obezitetit. Vendet si Mbretëria e Bashkuar, Shtetet e Bashkuara dhe Italia, ku mbi 50 për qind e të rriturve janë me mbipeshë, kanë përqindjen më të madhe të vdekjeve të lidhura me koronavirusin.

Problemi nuk është vetëm te mbipesha, por edhe te niveli i peshës që shumë njerëz e vlerësojnë si normale në shumë shtete. Shkalla e vdekjeve ishte dhjetë herë më e madhe në shtetet ku mbi gjysma e të rriturve ka indeks të masës trupore prej 25 kilogramësh për metër katror, shkruan “The Guardian”.

Federata Botërore e Obezitetit tha se njerëzve që kanë mbipeshë duhet t’u jepet më shumë prioritet për vaksinim dhe testim për Covidin-19 për shkak të rrezikut të shtuar nga vdekja.

Në mesin e shteteve ku mbi gjysma e të rriturve janë me mbipeshë, Belgjika e ka nivelin më të lartë të vdekjeve. Pas saj radhiten Sllovenia dhe Mbretëria e Bashkuar. Italia është e pesta, Portugalia e gjashta, ndërsa Shtetet e Bashkuara ndodhen në vendin e tetë.

Nga ana tjetër, Vietnami, që e ka përqindjen më të ulët të njerëzve me mbipeshë në tërë botën, është shteti i dytë në botë me shkallën më të ulët të vdekjeve nga Covidi-19.