09:03 / E Enjte, 12 Dhjetor 2019 / indeksADMonline

Shteti në krizë, edhe Dogana i bashkohet bllokadës së sindikatave

70 për qind e punëtorëve në sektorin publik, nga muaji dhjetor pritet që të marrin pagat me rritje, por disa ditë para ekzekutimit të tyre, Avokati i Popullit i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese.

Ky veprim ka ngjallur reagime dhe pakënaqësi të shumta, veçmas te sindikatat që mbrojnë të drejtat e punëtorëve.

Madje, tri sindikatat: e shëndetësisë, arsimit dhe e policisë kanë paralajmëruar edhe greva për këtë çështje, vendim që u mor pas takimit me Albin Kurtin, i vetmi që iu kundërpërgjigj thirrjes së tyre, shkruan Indeksonline.

Por, këtyre tri sindikatave iu ka bashkuar edhe ajo e Doganës.

Përmes një njoftimi të bërë për media Sindikata e Pavarur e Doganës  së Kosovës thotë se përkrah çdo ligj të favorshëm dhe i cili ndikon drejtpërdrejt në ngritjen dhe ruajtjen e mirëqenies sociale të punonjësve.

“Referuar ligjit në fjalë Sindikata e Pavarur e Doganës së Kosovës – SPDK konsideron se ligji i pagave i sponsorizuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës dhe votuar nga shumica e deputeteve të Parlamentit të Republikës së Kosovës gëzon  përkrahjen e shumicës së të punësuarve në institucionet Republikës së Kosovës. Andaj mbi bazën e kësaj Sindikata e Pavarur e Doganës së Kosovës përkrah dhe kërkon zbatimin e Ligjit të Pagave ashtu siç është, pasi që i njëjti mund të plotësohet nëse janë bërë lëshime teknike gjatë procesit”, thuhet në njoftim.

Ndërkaq, kjo sindikatë shton se çdo devijim nga moszbatim i Ligjit për pagat për Sindikatën e Pavarur të Doganës së Kosovës do të jetë i papranueshëm.  

Sipas ligjit të ri, paga mujore më e ulëta është ajo e shtëpiakut prej 322 eurosh, 621 euro është paga e mësimdhënësve të shkollës se mesme, profesori i universitetit do të marrë 1.505 euro, kryeprokurori 1. 912 euro, kryeministri 2.151 dhe presidenti i Kosovës nga muaji dhjetor do të marrë pagën mujore në vlerë prej 2.390 eurosh./Indeksonline/