10:04 / E Enjte, 14 Janar 2021 / OSH

Shteti s’është në dijeni se sa biznese përdorin bombola gazi në Kosovë

Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit fatkeqësisht nuk ka të dhëna sa i përket numrit të bizneseve në gastronomi që përdorin bombola gazi.

Në një përgjigje për IndeksOnline, kjo minsitri njoftoi se përgjatë vitit të kaluar janë bërë gjithësej 130 inspektime të pajisjeve nën presion.

“Gjatë këtij viti janë bërë gjithsej 130 inspektime të pajisjeve nën presion. Inspektimet bëhen në baza të rregullta periodike, me kërkesë dhe në rast të aksidenteve. Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit ka 1 inspektor për pajisje nën presion, i cili bën mbikëqyrjen administrative të zbatimit të Ligjit për pajisjet nën presion dhe akteve nën ligjore që dalin nga ky ligj”, kanë treguar nga MEA-ja për IndeksOnline.

Ky dikaster qeveritar thotë se nuk ka të dhëna sa i përket numrit të bizneseve në gastronomi që përdorin bombola gazi.

“Sa i përket numrit të bizneseve në gastronomi nuk kemi të dhëna, pasi që pothuajse shumica e tyre përdorin bombola me GLN (gazit të lëngshëm të naftës)”.

Sipas tyre, bizneset të cilat bëjnë përdorimin e bombolave të gazit duhet që të përdorin bombola teknikisht në rregull dhe në afat të vlefshmërisë të kontrolleve teknike.

Megjithatë, në bazë të Ligjit për pajisjet nën presion 06/L-031, neni 10 “shfrytëzuesi i pajisjes dhe instalimit nën presion është plotësisht përgjegjës për punën e sigurt gjatë përdorimit të pajisjes dhe instalimit nën presion si dhe për kryerjen e kontrollit dhe shqyrtimit të tyre”.

Vlen të përmendim faktin se pak ditë më parë pas një shpërthimi të fuqishëm që ndodhi në një lokal në Ferizaj, mbetën të lënduar rreth 30 persona, prej tyre 7 në gjendje të rëndë ku edhe po marrin trajtim shëndetësor jashtë vendit.

Ndryshe, shoqëritë e tregtimit të GLN-së mbushin dhe i fusin në qarkullim për konsumatorët bombola të koolauduara e të sigurta, nëse nuk përdoren si duhet dhe nuk zbatohen rregullat e përcaktuara, përdorimi i gabuar i tyre mund të rezultojë me shpërthime, zjarre, humbje të pasurisë dhe më e rëndësishmja edhe humbje të jetës së qytetarëve./IndeksOnline/