19:53 / E Martë, 03 Mars 2020 / indeksADMonline

Shteti VS Sindikatat, në rast se nuk rriten pagat, mund të ketë bllokadë shtetërore

Pesë sindikata kanë paralajmëruar se do të ndërmarrin masa sindikale në rast se Qeveria e Republikës së Kosovës, nuk i përfshin ndryshimet në ligjin e pagave në buxhetin e vitit 2020. Kështu shteti rrezikon të futet në një kolaps të madhe në rast të mos arritjes së një ujdie në mes të sindikatës dhe Qeverisë.

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, një ditë më parë ka paralajmëruar se në rast se në buxhetin e këtij viti (2020) nuk hyjnë ndryshimet e kërkuara nga ta për rritje të pagave në këtë sektor, shumë shpejtë do të ndërmarrin masa sindikale.

“Nëse vërtetë ndodhë kjo që të harrohet me apo pa qëllim pjesa e Ligjit për paga atëherë do të jemi në situatë do t’i përgjigjemi zërit të anëtarësisë, besoj se Qeveria Kurti nuk e ka harruar janarin e vitit të kaluar, kur sektori i arsimit kishte shkuar në grevë trejavore dhe nuk u zëvendësuan orët”, ka thënë dje pas takimit urgjent të mbajtur kryetari i  SBAShK-ut, Rrahman  Jasharaj.

Mirëpo sa ka gjasa reale që kjo të ndodh dhe a mundet Qeveria të bëj ndonjë ndryshim, kur Ligji për Pagat është i pezulluar deri më 30 mars, për IndeksOnline ka folur njohësi i Kushtetutës,Riza Smaka. Ai ka thënë se kërkesa e SBAShK-ut nuk është e thënë të pranohet, por se ajo duhet  të vlerësohet nga Qeveria e kryeministrit Albin Kurti.

Meqë ligji aktual për paga, i miratuar në shkurt të vitit 2019, është i pezulluar nga Gjykata Kushtetuese, kjo sipas Smakës nuk e pengon Qeverinë të hartojnë një ligj të ri.

“Ligji aktual për paga është i shfuqizuar, meqë është në Gjykatën Kushtetuese, dhe kjo nuk e pengon Qeverinë e re të bëj një ligj të ri, të menduar mirë. Qeveria e kaluar kur i rriti pagat e kabinetit qeveritarë, nuk  kishte menduar për implikimet që do të kishte ky ligj, duke bërë kështu pagat në sistemin e drejtësisë deri në 4 mijë euro. Një disbalanc i madh. Qeveria e kaluar ka marrë vendime mish mash. Qeveria Kurti uli pagat për vete, ndërsa nuk i uli edhe për sistemin e drejtësisë, gjykatat dhe prokuroritë, por kjo çështje mund të zgjidhet përmes një projektligji të ri”, theksoi Smaka.

Ndërsa në përgjigjen e Ministrisë së Financave dhe Transfereve për IndeksOnline thuhet se ministri Besnik Bislimi bashkë me tërë stafin e tij janë duke punuar harmonizimin e Buxhetit në përputhje me programin e Qeverisë Kurti, në mënyrë që sa më shpejtë të dërgohet në Qeveri për miratim dhe pastaj për aprovim në Kuvendin e Kosovës.

Muharrem Shahini nga zyra për komunikim e MFT-së, ka thënë se çfarëdo vendimi që do të marrë Gjykata Kushtetuese në lidhje me Ligjin për Paga, do të zbatohet nga institucionin që përfaqëson.

“Ne si Ministri e Financave dhe Transfereve jemi në përfundim e sipër të harmonizimit të buxhetit sipas prioriteteve të Qeverisë dhe KASH-it dhe së shpejti do ta dërgojmë në Qeveri dhe Kuvend për miratim. Ndërsa sa i përket Ligjit të pagave sido që të jetë vendimi i Gjykatës Kushtetuese, ai është vendim i plotfuqishëm dhe ne si Ministri e Financave dhe Transfereve do ta zbatojmë”, ka thënë Shahini për IndeksOnline.